Napoli merr një lajm të rëndësishëm në një moment kritik të sezonit: Romelu Lukaku po përshpejton rikuperimin dhe duket gjithnjë e më pranë rikthimit në fushë.
Trajneri Antonio Konte e ka cilësuar situatën si një “dhuratë të parakohshme të Krishtlindjeve”, pasi mungesa e belgut ka peshuar shumë në fazën ofensive të skuadrës. Sulmuesi është dëmtuar që në gusht dhe rikthimi i tij parashikohej fillimisht për mesin e dhjetorit, por progresi i fundit në stërvitje ka ndryshuar planet. Lukaku ka intensifikuar seancat individuale në “Castel Volturno” dhe po tregon se po i kapërcen etapat më shpejt se sa pritej.
Objektivi i ri i klubit është të ketë lojtar të gatshëm që në fillim të dhjetorit, me mundësinë që ai të grumbullohet për ndeshjet e para të muajit.Konte shpreson ta ketë të gatshëm që në sfidën e 7 dhjetorit, aty kur kampionët do të sfidojnë Juventusin. Konte mbetet i kujdesshëm dhe ka theksuar se “është ende herët” për të caktuar një datë të saktë për kthimin në fushë. Megjithatë, trajneri e di mirë se prania e Lukakut, qoftë edhe për disa minuta, do t’i japë ekipit forcë, rezistencë dhe alternativa në një repart që ka vuajtur mbi masë.
Napoli ka nevojë për një lojtar që di të mbajë peshën e sulmit dhe të krijojë hapësira për shokët, ashtu siç belgu ka bërë gjithmonë gjatë karrierës së tij. Ndërkohë, dëmtimet e shumta në skuadër e kanë vështirësuar menaxhimin e ndeshjeve dhe kthimi i Lukakut shihet si një injeksion energjie në momentin më të duhur. Nëse gjithçka ecën sipas planeve të reja, tifozët mund ta shohin sërish numrin 9 në fushë shumë përpara afatit të parashikuar.
PANORAMASPORT.AL








