Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare me 66 vota pro, votohen edhe 5 nënkryetarët


Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare me 66 vota pro, votohen edhe 5 nënkryetarët

Feb 11, 2026 | 18:19































Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, është konstituuar. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, partia që triumfoi në zgjedhje, u zgjodh kryetare e Kuvendit. Po ashtu, u betuan edhe deputetët e rinj, si dhe u votuan pesë nënkryetarët nga partitë politike përkatëse.

albulena haxhiu

Haxhiu arriti që të marrë 66 vota pro, 44 kundër ndërsa 8 deputetë abstenuan. Nënkryetarë u zgjodhën: Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Emilja Rexhepi nga grupi multietnik dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe.

Deputetët e pranishëm në sallë votuan me 104 vota për pesë nënkryetarët. Kundër ishin 3, ndërsa 6 abstenuan.

Haxhiu, teksa mori fjalën e parë si kryeparlamentare, tha se besimin që iu dha për këtë post do ta kthejë me punë të përditshme, transparencë e përkushtim të plotë.

“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare.”, tha Haxhiu.

Haxhiu foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në gjykatën Speciale në Hagë, duke u shprehur se lufta ishte e qartë dhe e drejtë dhe se dihet që krime janë kryer nga Serbia.

“Ne sot debatojmë lirshëm në këtë sallë falë sakrificës së madhe të popullit tonë për liri, përfshirë luftën çlirimtare të UÇK-së. Sot këtu vijmë pasi tërë ditës  kishim seancën ndaj ish-krerëve të UCK-së. Historia e popullit të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, dihet kush ka qenë agresori, kush ka bërë krime. Ato krime janë kryer nga Serbia që kurrë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze, përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në vend, dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë”, shtoi ajo.

Kryetarja e sapozgjedhur shpalli të konstituuar institucionin ligjvënës dhe paralajmëroi një tjetër seancë sot, atë për votimin e qeverisë së re.

Albulena Haxhiu ishte propozuar për kryetare Kuvendi nga Vetëvendosja edhe në legjislaturën e kaluar, nga zgjedhjet e shkurtit, por nuk mori votat e nevojshme.

Moszgjedhja për disa kohë e kryetarit të Kuvendit dhe më pas nënkryetarit serb shkaktoi një ngërç disa mujor politik, që pasoi me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, ku LVV shënoi një fitore bindëse.

© Panorama.al



Te lidhura

















Source link

Scroll to Top