TIRANË- Në mes të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama publikoi një video nga takimi virtual me ambasadorët e vendeve të prekura. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau momente nga komunikimi me ambasadorët. Rama bëri të ditur se institucionet shqiptare do të jenë në koordinim të plotë, ndërsa informimi për situatën do të realizohet në kohë reale, për të garantuar transparencë dhe reagim të menjëhershëm.
“Për cdo gjë me këtë ekip që keni të kordinuar ne do jemi të informuar në kohë reale!”, tha Rama.
Sulmi i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisi më 28 shkurt 2026. Mëngjesin e hershëm të 28 shkurtit, forcat amerikane dhe izraelite nisën një ofensivë ushtarake të koordinuar ndaj Iranit, duke përdorur raketa, avionë luftarakë dhe dronë për të goditur objektiva ushtarake dhe infrastruktura kyçe në territorin iranian. Operacioni i përbashkët SHBA-Izrael u shoqërua me bombardime mbi Teheranin. Konflikti u thellua më tej pas vdekjes së liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili humbi jetën gjatë sulmeve. Rreth 30 bomba u hodhën në kompleksin ku po qëndronte Khamenei. Përveç Ajatollah Ali Khameneit, në sulmin amerikano-izraelit u vranë edhe vajza, dhëndri dhe mbesa e tij.
Si rezultat, Irani ka nisur sulme me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme, duke përshkallëzuar konfliktin në një luftë më të gjerë, me ndikime edhe në vendet e rajonit./ZËRI



