TIRANË- Kreu i demokratëve, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij nga “Foltorja” përpara Kryeministrisë, nga ku kujtoi edhe Lëvizjen Studentore të 8 dhjetorit. Në Ditën e Rinisë, Berisha vlerësoi gjeneratën Z si ‘zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlyqer e idealeve të kohës’.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Partia Demokratike do të vazhdojë misionin misionin e saj për të rikthyer në piedestal lirin e shqiptarëve. Në fjalën e tij, kryedemokrati akuzoi kryeministrin Rama, duke e cilësuar si armikun më të egër të rinisë shqiptare.
“E vërteta është se kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlyqer e idealeve të kohës, e aspiratave të kohës. Është kjo gjeneratë pra në krye të betejës për liri të shoqërisë njerëzore. Por po të kthehemi 35 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranës ishin në kushte më të pakrahasueshme se studentët e asnjë vendi tjetër. Në Shqipëri, gjithçka, çdo përpjekje ishte shtypur dhe vendimi i përgjithshëm dukej se për Shqipërinë ishte, kështjellë e socializmit në brigjet e Adriatikut. Një grup i vogël studentësh, jo më shumë se qindra, nuk qenë dakord dhe një natë të 8 dhjetorit, dolën në protestë në qytetin e tyre. Ata në 1 të natës u pritën nga Presidenti i Republikës i asaj kohe, i cili pas takimit u rezervoi atyre kërbaçin e Sigurimit të Shtetit. Miq, të nesërmen ata mbushën sheshin dhe rrugët, firmosën veten si të pamposhtur. Qëndruan dhe në një betejë treditore gjunjëzuan regjimin më të egër, më shtypës, më represiv të kohës. Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste… Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD. Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit. Parti e idealeve të dhjetorit. Parti, e cila është e dyta dhe e vetme në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi tallazeve dhe të gjitha përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar si kurrë më parë për të rikthyer edhe njëherë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre, familjen shqiptare, interesin kombëtar të shqiptarëve.”, u shpreh Berisha.
/ZËRI



