Pas humbjes zhgënjyese ndaj Napolit, trajneri Kristian Kivu ka vendosur të kufizojë rotacionin për ndeshjen e radhës kundër Fiorentinës. Qëllimi i tij është i qartë: të shmangë çdo alibi dhe të kërkojë përgjegjësi të plotë nga çdo lojtar i skuadrës. Në mbrojtje, Kivu do të vazhdojë të mbështetet te Akanzhi, Açerbi dhe Bastoni, një treshe, që ka pësuar 11 gola në tetë ndeshjet e para të Serie A-së, më shumë se çdo ekip tjetër në top 9 të kampionatit.

Pavarësisht statistikave shqetësuese, trajneri beson se stabiliteti dhe përvoja e tyre mund të sigurojnë bazën për të ndaluar sulmet kundërshtare. Në mesfushë, mungesa e Mkhitarjan-it për shkak të dëmtimit do të kompensohet nga Suçiç, i cili pritet të sjellë freski dhe dinamizëm në qendër të fushës. Çalhanoglu, i cili ka shënuar pesë gola ndaj Fiorentinës në karrierën e tij, do të jetë titullar dhe pika kyçe për ndërtimin e aksioneve sulmuese.
Në repartin e sulmit, sfida e vendosjes së partnerit të Lautaro Martinez do të vendoset mes Pio Esposito dhe Boni. Kivu pritet të zgjedhë lojtarin që do të ofrojë më shumë kombinim dhe kreativitet pranë sulmuesit kryesor. Markus Turam, i cili është duke u rikuperuar nga një lëndim, pritet të rikthehet në stërvitje së shpejti dhe mund të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Lacio-s më 9 nëntor.
Prania e tij do të rrisë konkurrencën dhe do të ofrojë trajnerit më shumë alternativa strategjike. Qëllimi i Interit është i qartë: rikthimi te fitorja pas humbjes me Napolin dhe përgatitja maksimale për sfidat e ardhshme. Kivu synon të krijojë një skuadër të fokusuar, pa justifikime dhe të aftë të përballojë çdo kundërshtar me seriozitet dhe vendosmëri.
PANORAMASPORT.AL








