TIRANË-Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet po vijon shqyrtimin për heqjen e imunitetit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut me kërkesë të SPAK prej orës 10:30 të mëngjesit. Mbledhja ka mbetur në pikën e provave dhe USB-së me materiale hetimore ndaj Ballukut.
Pas një debati disa orësh mes anëtarëve të PS dhe PD për mënyrën se si do njihen me provat dhe a do të vendoseshin ato në dispozicion të tyre, dy palët kanë rënë dakord që të shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e Ballukut.
Por nuk kanë rënë dakort për datën. Opozita kërkon që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa mazhoranca këron të mblidet Këshilli më 19 janar.
Nga ana tjetër edhe Ardian Kalija, avokati i zv.kryeministres Belinda Balluku ka kërkuar të shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e zv.kryeministres. Avokati ka thënë se i duhet kohë për mbrojtjen, konkretisht 3 javë. Por prokurorët e SPAK i kanë thënë se mund të marrë 5 ditë kohë maksimumi për tu njohur me provat.



