TIRANË- Është duke u shqyrtuar në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesa e deputetë të opozitës për shkarkimin nga detyra të kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Fjalën i pari nga radha e opozitës, e mori deputeti i PD, Ivi Kaso, i cili renditi argumentet që dhe pikat që sipas tyre janë shkelur nga kryetari i Kuvendit, për çka ata kërkojnë dhe shkarkimin e tyre.
“Ik përpara votimit dhe jep dorëheqjen. Zgjidh dinjitetin tënd përpara detyrës së partisë. Ti je ai që ke tentuar të heshtësh opozitën në sallën e Sovranit.
Do ikësh pa dinjitet, por do çlirosh Kuvendin nga drejtimi i një kryetari që nuk diti të drejtojë këtë institucion. Do ikësh pa dinjitet, por do t’u kesh kursyer kolegëve të maxhorancës të të mbrojnë me votë një muaj pasi ke marrë karrigen e numrit dy të Shtetit”, tha Kaso ndër të tjera, ndërsa sipas tij kjo kërkesë e opozitës bëhet për të vendosur standardet institucionale.
“Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik.
Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm, por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshqitje të rrezikshme të këtij Kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standardeve institucionale. Shkeljet e sipërpërmendura nuk mund të justifikohen me procedurë”, tha Kaso teksa lexonte raportin e PD.



