Këpuca e Artë nuk është një këpucë e zakonshme. Që nga viti 1992, ajo mban firmën e Adidas, dhe që nga viti 2000, trofeu ka marrë formën e “Predator Precision ikonik”, një nga modelet më legjendare të markës. Një këpucë e veshur në fushë nga yje si Del Piero, Zidane dhe Bekam.

Këpuca që Mbapesë do të marrë këtë të premte në Santiago Bernabéu është 27.4 centimetra e gjatë, që korrespondon me një këpucë me numër 42. Sa i përket materialit, ajo është bërë nga një aliazh metali që më pas është veshur me ar, duke i dhënë asaj pamjen karakteristike të shkëlqyeshme dhe prestigjioze. Këpuca e Artë është një nga çmimet më objektive në futbollin evropian. Ajo shpërblen lojtarin që fiton më shumë pikë bazuar në golat e shënuar. Por jo të gjithë golat vlejnë njësoj. Që nga viti 1997, sistemi i krijuar nga ESM (European Sports Media) ka peshuar çdo gol sipas nivelit konkurrues të ligës, me qëllim sigurimin e një kriteri më të drejtë.
Në pesë ligat kryesore evropiane (Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca), çdo gol vlen dy pikë. Ligat e renditura midis vendit të gjashtë dhe të njëzet e një në renditjen e UEFA-s, si ato në Belgjikë, Holandë dhe Turqi, japin 1.5 pikë. Në të gjitha ligat e tjera evropiane, çdo gol vlen një pikë. Fitimi i Këpucës së Artë e vendos një futbollist në një grup ekskluziv të rezervuar për më të mirët në Evropë. Megjithatë, midis të gjithëve, një arritje bie në sy: ajo e holandezit Vim Kift, fituesi më i ri në histori. Ishte në vitin 1982, vetëm 19 vjeç, duke luajtur për Ajaks, dhe atij i duheshin 32 gola për të fituar çmimin e lakmuar. Çmimi është dhënë që nga viti 1968, dhe legjendari Eusébio ishte i pari që e fitoi atë pasi shënoi 42 gola për Benfikën në sezonin 1967/ 68. Me ardhjen e sistemit modern të pikëzimit, të vendosur në vitin 1997, i pari që fitoi Këpucën e Artë ishte braziliani Ronaldo (fenomeni), i cili shënoi në atë kohë 32 gola.
PANORAMASPORT.AL








