TIRANË-Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkeën e Partisë Socialiste, e cila ka kërkuar përjashtimin e 29 deputetëvet të Partisë Demokratike pas kaosit dhe incidenteve të rënda që u shkaktuan në Kuvend në seancën e 18 dhjetorit.
Mbledhja e parë u zhvillua pak para mbledhjes së Këshillit të Imunitetit, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Takimi u shty për shkak të debateve nga opozitarët, të cilët kërkuan që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura dhe pretendojnë se përjashtimi i tyre është i padrejtë.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e mbledhjes me qëllim që opozita të njihet me provat. Bardhi pretendoi se Partia Socialiste ka përfshirë në kërkesën për masa disiplinore edhe deputetë që nuk janë përfshirë në kaos, duke kërkuar të fshijë opozitën nga Kuvendi.
Partia Socialiste ka kërkuar përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare:
-60 ditë për: Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata. E njëjta masë është kërkuar edhe për deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu.
-30 ditë ndaj deputetes Elda Hoti, si dhe për Gazmend Bardhin dhe Sali Berishën.
-10 ditë ndaj deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi. E njëjta masë edhe për: Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.
Seanca e fundit e sesionit parlamentar të këtij viti e mbajtuar më 18 dhjetor u mbyll pas një orë tensionesh dhe përplasjesh nga ana e opozitës, duke e shndërruar sallën e Kuvendit në një ‘arenë përplasjesh’. Sherre, konflikte fizike, zaptim karrigesh, flurim i shisheve të ujit dhe ndezje flakadanësh, përshkruajnë seancën e fundit plenare të këtij viti. Mes tensioneve u betua edhe Endri Shabani si Avokati i ri i Popullit, ndërsa mazhoranca kaloi në votim projektligjet./ZËRI



