TIRANË- Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i është rikthyer reagimeve për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), teksa ngre alarmin për sigurinë e të dhënave personale. Përmes një postimi në rrjet, Shehaj ka publikuar një video dhe iu drejtohet qytetarëve për një rrezik serioz sipas tij, që lidhet me pushtetin e AKSHI-t. “Nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim”, shton Shehaj për rrezikun që i kanoset qytetarëve.
Sipas Shehajt, pronat e qytetarëve janë në rrezik, teksa thotë se SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën dhe kanë ndryshuar pronarët e pronave. Ai e cilëson skandaloze faktin që jeta e çdo qytetari ndodhet në duart e bandave krimale, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos pranojnë këtë realitet ‘skandaloz’.
Shehaj thekson se vetë SPAK e ka konsideruar drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, dhe kjo vetëm sa shton edhe më shumë rrezikun.
Fjala e Agron Shehaj:
Para disa ditësh, një miku im më shkruajti e më tha: “Mora përgjigje të analizave të gjakut në e-Albania. Çfarë do të thotë kjo, që Mirlinda Karçanaj dhe banda e saj, apo edhe qeveria, dinë çdo lloj informacioni? Dinë edhe përgjigjet e analizave të gjakut që mora unë?”
Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.
Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u.
Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi. Mund të fusin duart kudo! Kanë në dorë pronat tona. Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim. Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale. Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.
Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh. Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë./ZËRI



