TIRANË- Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një interviste në Euronews, është shprehur se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE nuk është bllokuar nga asnjë vend. Ai tha se nëntë vende anëtare kanë pasur disa pyetje shtesë për vendin tonë, duke i cilësuar si shumë kërkuese. Sipas tij, Shqipëria tashmë ka fituar besimin e vendeve europiane dhe procesi vijon në mënyrë dinamike.
Hoxha theksoi se procesi i integrimit është kompleks dhe shumë kërkues, ndërsa shtoi se pyetjet e vendeve anëtare janë pjesë normale e këtij procesi dhe nuk përbëjnë bllokim.
“Unë u them me bindje të plotë dhe të padiskutueshme që procesi nuk është bllokuar dhe as nuk është ngadalësuar, por nëse duam të jemi të sinqertë me procesin duhet të kuptojmë natyrën e procesit. Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend që po negocion në këtë aspekt metodologjinë e re.
Janë 92 hendekë të mbushur, ku për sa kohë Komisioni Europian e ka pranuar dhe jep shpjegime dhe flet në emrin tonë në bazë të raportit. Pra, përderisa Komisioni Europian është dakord që këto hendeqe janë mbushur mjaftueshëm për të krijuar besimin që Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme, meriton t’i jepet OK dhe vazhdon faza tjetër, që është faza e kapitujve.
Procesi ka natyrën e vet, ka kompleksitetin e vet dhe vendet anëtare janë ato që do të vendosin dhe unë e kuptoj shumë mirë që do të kenë pyetje. Ato 9 apo sa kanë qenë janë vende që bëjnë pyetje, bëjnë pyetje shtesë dhe nuk kanë bllokuar gjë. Më gjeni dhe shkoni dhe pyetini ato vende që thonë se na kanë bllokuar apo jo dhe merrni përgjigje.
Asgjë nuk është e lehtë për në Bashkimin Europian, asgjë nuk është e lehtë në Komisionin Europian, janë absolutisht kërkues dhe super kërkues dhe e kam thënë edhe disa herë, edhe me shaka, i jap një përgjigje, të bëjnë dy pyetje, kjo është natyra dhe e kam parë vetë. Procesi është shumë kërkues dhe shumë dinamik, ka fusha që nga jashtë mund të konsiderohen më të lehta, por në fakt duhet t’i mbushim me të mirën e mundshme”, u shpreh Hoxha.
Deklarata e tij vjen pas reagimit të kreut të opozitës, Sali Berisha, i cili tha se nëntë vende anëtare të BE-së kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke e vendosur procesin në vendnumëro.Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama i ka cilësuar këto deklarata si deformim të realitetit dhe dezinformim për opinionin publik./ZËRI



