Java Politike/ Përplasjet në PS, 2 marrëveshje dhe zgjedhjet për kryetar të PD-së


Java Politike/ Përplasjet në PS, 2 marrëveshje dhe zgjedhjet

TIRANË- Java e fundit e prillit nisi me debatin mes Kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropali në mbledhjen e socialistëve me dyer të mbyllura. Sipas burimeve në mbledhje, Rama kritikoi ashpër Spiropali për qëndrimet e saj publike, duke i vendosur ultimatum për përjashtim nga partia.

Nuk ka vonuar edhe përgjigja publike e ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali, e cila zgjodhi të reagojë në rrjetet sociale duke shkruar: “Më përjashto”.

Referuar reagimeve dhe qëndrimeve të saj të mëparshme ndaj partisë dhe qeverisë, Spiropali sqaron se ka ngritur shqetësime për ndarjen e partisë nga shteti, rrezikun e zëvendësimit të politikës me administrimin dhe për një logjikë kontrolli që sipas saj dëmton përfaqësimin politik.

Kryeministri Edi Rama priti të martën në një takim në ambientet e Kryeministrisë ambasadoren e SHBA-ve në Greqi. Shqipëria firmosi marrëveshjen 20-vjeçare energjetike me SHBA dhe Greqinë me vlerë 6 miliardë dollarë. Projekti synon furnizimin e Europës Jugore me gaz të lëngshëm nga SHBA. Në konferencën e mbajtur me ambasadoren amerikane në Greqi, Rama tha se Shqipëria synon që brenda këtij mandati të jetë eksportuese neto e energjisë.

Më 29 prill, Shqipëria firmosi marrëveshje me një kompani europiane për prodhimin e anijeve në Pashaliman, të cilat do të jenë në funksion të ushtrisë shqiptare dhe të vendeve aleate. Kryeministri Edi Rama nënvizoi se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formimin profesional të të rinjve, veçanërisht për vajzat dhe djemtë e shkollës industriale të Vlorës.
Këtë javë, Partia Demokratike nisi zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Mesnatën e 30 prillit skadoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike, pasi Komisioni Zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela, si dhe kandidatin tjetër Vladimir Mulaj, për shkak se nuk plotësonin kriterin e figurës me profil të lartë publik dhe politik. Konkretisht, në vlerësimin e detajuar të kandidaturave, komisioni doli në përfundimin se Sali Berisha i plotëson të gjitha kriteret statutore për të qenë kandidat për kryetar. Ndërkohë kandidaturat e ish-deputetit Ervin Salianji, aktivistes Evi Kokalari dhe avokates Alesia Balliu u refuzuan. Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar që të mbahen me 23 maj./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top