Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) njoftoi se e ka liruar Lamine Jamal nga ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë. Vendimi u mor nga shërbimet mjekësore spanjolle për të mbrojtur shëndetin e lojtarit, por masa ka shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme brenda federatës, e cila lëshoi një deklaratë kritike ndaj Barçës, pa e përmendur drejtpërdrejt lojtarin.
“Shërbimet Mjekësore të RFEF-së dëshirojnë të shprehin habinë dhe zhgënjimin e tyre pasi mësuan në orën 13:47 të së hënës, më 10 nëntor, ditën e fillimit të kampit zyrtar stërvitor me ekipin kombëtar, se lojtari Lamine Jamal i ishte nënshtruar një procedure invazive me radiofrekuencë për të trajtuar problemet e tij..
Kjo procedurë u krye pa u komunikuar paraprakisht stafit mjekësor të ekipit kombëtar, me detaje që u mësuan vetëm përmes një raporti të marrë në orën 22:40 të mbrëmjes së kaluar, i cili tregonte rekomandimin mjekësor për një periudhë pushimi 7-10 ditësh.
Në këtë kontekst, dhe duke pasur shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e lojtarit si përparësi kryesore në çdo kohë, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit ka vendosur ta lirojë lojtarin nga kjo thirrje. Ne besojmë se ai do të ketë një shërim të mbarë dhe i urojmë një shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në deklaratën e RFEF-së.
Incidenti nxjerr në pah edhe një herë klimën e tensionuar midis Barçës dhe ekipit kombëtar, menaxhimi nga klubi katalanas i trajtimit invaziv (dhe pushimit të mëvonshëm) pa informuar trajnerin e kombëtares ka gjeneruar pakënaqësi, veçanërisht duke pasur parasysh se lojtari, i cili është i shëndetshëm, ishte përfshirë në skuadër.
Marrëdhënia midis Barçës dhe ekipit mjekësor të RFEF duket kështu e tendosur, me Jamalin në qendër të një polemike që filloi në shtator, kur Flik akuzoi De la Fuenten se nuk arriti ta mbronte në mënyrë të përshtatshme talentin e ri. Situata mbetet e tensionuar dhe mund të ketë pasoja në thirrjet e ardhshme të lojtarit.
PANORAMASPORT.AL










