Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar me katër vjet burg një vajzë që shantazhoi yllin e futbollit, Son Heung-min.

Vajza, në të 20-at, dhe bashkëpunëtori i saj, një burrë në të 40-at, u shpallën fajtorë për shantazh ndaj ish-kapitenit të Tottenham.
Ajo iu ishte afruar Son vitin e kaluar duke pretenduar se ishte shtatzënë me fëmijën e tij dhe zhvati 200.000 dollarë duke i kërcënuar se do ta bënte publike akuzën nëse s’do të bindej.
Vajza i shpenzoi paratë për mallra luksoze dhe firmato, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
“Ajo këmbëngul se i ka marrë paratë si kompensim dhe e portretizon veten si viktimë”, i thanë prokurorët gjykatës të hënën. “Por pretendimet e saj nuk përputhen plotësisht me faktet”.
Bashkëpunëtori i saj, i cili e kishte kërcënuar Son 15 herë për t’i marrë paratë, u dënua me 2 vjet burg për tentativë shantazhi. Kur ata kërkuan më shumë para këtë vit, Son shkoi në polici.
Gjykatësi tha se vajza dhe bashkëpunëtori i saj kishin abuzuar me famën e futbollistit për krimin e tyre dhe se Son dukej se kishte kaluar nëpër “ankth të fortë mendor” pasi rasti u publikua në media.
Në tetor, Son u emërua futbollisti i dytë më i paguar në Major League Soccer (MLS), ligën më të lartë të futbollit në Amerikën e Veriut, e ngjashme me Premier League të Anglisë.
Në gusht, 33-vjeçari u largua nga Tottenham pas 10 vitesh shërbimi për t’u bashkuar me Los Angeles Football Club, duke shënuar transferimin më të shtrenjtë në historinë e MLS.
I konsideruar gjerësisht si një nga yjet më të mirë të futbollit në Azi, Son gëzon popullaritet të madh në vendin e tij të lindjes dhe në rajon.
Në vitin 2022, ndërsa ishte ende me Spurs, ai u bë aziatiku i parë që fitoi çmimin “Këpuca e Artë” të Premier Ligës, i cili i jepet çdo vit golashënuesit më të mirë në ligë.








