Italia do të luajë këto ditë ndeshje vendimtare në kualifikueset e Botërorit ndaj Moldavisë dhe Norvegjisë. Por duket se italianët janë të ndërgjegjshëm se sido që të përfundojnë sfidat, rrugëtimi i tyre drejt Botërorit do të kalojë nga play-off.

Për këtë arsye trajneri Rino Gatuzo ka marrë masat dhe ka vendosur që të mos aktivizojë në ndeshjen ndaj Norvegjisë lojtarët të cilët rrezikojnë pezullimin në play-off nëse marrin karton të verdhë në atë duel. Në listën e Italisë janë Sandro Tonali, Andrea Kambiaso dhe Davite Fratezi të cilët pritet të luajnë ndaj Moldavisë, por jo ndaj Norvegjisë.
Këtë e konfirmoi edhe Gatuzo në konferencë për mediat, ku shpjegoi situatën. “Kam folur me Tonali prej 10 ditësh dhe nuk kemi luksin që të humbasim një lojtar të tillë, e shoh shumë të vështirë që ai të mund të luajë kundër Norvegjisë”, theksoi Gatuzo.
Pas fazës së grupeve, të gjithë kartonët e verdhë zerohen. Italia ka shkuar dy edicionet e fundit në play-off të Botërorit pa ia dalë të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale të turneut, në të cilin mungon që nga viti 2014.
PANORAMASPORT.AL








