VLORË-Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj bën të ditur se këto kërkesa i ka marrë pas zhvillimeve të fundit politike dhe pas deklaratave të deputetit Erion Braçe për një kandidim të mundshëm në Tiranë. Malaj ka theksuar se kjo nismë vjen pas kërkesave të shumta nga qytetarë dhe mbështetës në Vlorë, të cilët e kanë inkurajuar të përfshihet në garë si alternativë e re politike. Ish-ministri ka deklaruar se në rast se vendos të hyjë në garë, në asnjë rrethanë nuk do të jetë kandidat i kryeministrit Edi Rama, por si kandidat i pavarur.



