TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Pas miratimit të rezolutës, PD doli me një qëndrim politik në rrjete sociale.
Në një deklaratë zyrtare në Facebook, Partia Demokratike theksoi se Gardën Revolucionare e konsideron organizatë terroriste dhe e cilëson shtetin iranian si sponsor kryesor të terrorizmit global. Partia Demokratike gjithashtu shprehu solidaritet me vendet e Gjirit Persik që janë prekur nga sulmet e Teheranit dhe mbështeti përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e regjimit të Ajatollahëve.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:
Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.
Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.
Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.



