Pas fitores ndaj Pizas, Kristian Kivu u shfaq i kënaqur për reagimin e skuadrës pas dy humbjeve të dhimbshme ndaj Milanit dhe Atletiko Madrid. Trajneri zikaltër theksoi se ndeshja nuk ishte e lehtë, duke kujtuar serinë pozitive të Pizas dhe faktin se vendasit nuk kishin pësuar gol në shtëpi prej muajsh.
“Bëmë një ndeshje me organizim dhe maturi, edhe pse mund të bënim më mirë në disa momente. Ky grup po tregon çdo ditë se ka dëshirë të luftojë për një sezon të madh,” tha ai.
Kivu mbrojti vendosmërisht kapitenin Lautaro Martínez, rikthyer protagonist me gola vendimtarë.
“Ne e dimë sa i rëndësishëm është për ne. Ka shumë zëra jashtë, por jo nga ne. Ai punon shumë dhe e do këtë skuadër,” u shpreh trajneri, duke theksuar edhe rolin e zëvendësimeve që sollën energji të reja në fushë.
Për kritikat ndaj sulmuesit, Kivu ishte i qartë: “Ndonjëherë kërkohet lajm me çdo kusht dhe teprohet, por ne e dimë sa jep ai për këtë grup.”
Ai tregoi edhe raportin e ngrohtë me kapitenin: “E përqafoj çdo ditë, flasim shumë. Ai është fitues dhe jeton për golat.”
Në fund, Kivu falënderoi tifozët dhe klubin: “E di përgjegjësinë që kam. Është nder të drejtoj Interin dhe këta djem që japin gjithçka për ngjyrat zikaltër.”
PANORAMASPORT.AL









