TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët mes grupit parlamentar të PS dhe qeverisë. Rama tha se në dy vitet e ardhshme, Shqipëria duhet të ecë me një hap të shpejtë, në përfundimin e procesit të negociatave për anëtarësimin në BE, ndërsa tha se siguria ushqimore mbetet një prej pikave më kritike. Rama tha se Shqipëria do të kalojë në një fazë të ndërmjetme 5-vjeçare në aspektin e sigurisë ushqimore, që nënkupton që përgjatë kësaj periudhe një pjesë e prodhimit vendas mund të mbetet stok, për shkak se nuk plotëson kriteret.
“Një mbledhje e grupit parlamentar, së bashku me qeverinë, për të çelur sesionin e ri parlamentare, duke u përpjekur së bashku që të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave që grupi i ri ka pasur, dhe për të vendosur disa piketa të përbashkëta, në kushtet që puna kemi përpara këtë vit është e një natyre të veçantë, për shkak të domosdoshmërisë që në një hark të shkurtër prej 2 vitesh, Shqipëria të përmbyllë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave.
Kam përshtypjen që akoma sot, edhe brenda nesh, brenda grupit parlamentare, e lëre pastaj në opinionin publik, nuk ka një kuptim të qartë, se çfarë do të thotë përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave. Është një treg prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e intregruar do të jetë një pikë uji në oqean. Sfida për institucionet do të jetë e shumëfishtë, ne në momentin që flasim përmes skuadrës së negociatave, jemi duke diskutuar për periudhat e ndërmjetme pas anëtarësimit, që të përmbushim kriteret e të qenit bashkë, në familjen europiane.
Është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit, e kanë bërë dhe vende para nesh, fjala vjen Kroacia ka marrë 10 vite fazë të ndërmjetme, për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Beteja kryesore do të jetë ajo e prodhimit bujqësor, në kushtet e sotme ne jemi të paintegrueshëm, jemi larg kritereve ushqimore të BE.
Po përpiqemi që të fitojmë një fazë 5 vjetore të ndërmjetme pas anëtarësimir në BE. Kjo do të thotë që në momentin e anëtarësimit, dhe në momentin kur përfundon faza e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri, nuk mund të shiten jashtë Shqipërisë, çfarë do të thotë kjo? Që një pjesë e ushqimeve nuk mund të shiten dhe në Shqipëri, dhe po shkoj dhe në ekstrem, që gjithçka që do të hahet të jetë e importit”, tha Rama./ZËRI



