TIRANË-Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka po paraqet një bilanc të këtij procesi për vitin 2025 dhe 4 muajt e parë të 2026-ës.
Kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka: Gjatë vitit 2025 kemi punuar për bazën organizative të punës për mbylljen e negociatave, krahas çeljes së negociatave që u krye për 6 grup-kapitujt. Për këtë arsye janë hartuar 31 draft plane pune, ku janë zbëthyer këto 101 linja veprimi ose kushte në rreth 600 nisma europiane, nga të cilat një pjesë e mirë janë të natyrës ligjore.
Tregu i brendshëm, negociatat që u çelën në prill 2025. Kjo është një etapë strategjike dhe në këtë grup-kapitull Shqipëria ka marrë 29 kushte për mbylljen e negociatave. Kanë të bëjnë me disa drejtime kryesore, siç është standardizimi dhe mbikëqyrja e tregut, kontrolli i ndihmës shtetërore, politika e konkurrencës, qeverisja e korporatave dhe mbrojtja e konsumatorit. E rëndësishme është rritja e sigurisë juridike në treg.”
Grupi i dytë është konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, i dyti për të cilin negociatat u hapën, më 22 maj 2025. Ka 19 piketa mbyllëse. Objektiv kryesor është ndërtimi i modelit social europian. Thënë më thjesht mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale.”
Grupi tjetër, agjenda e gjelbër, që u çel në shtator 2025. Shqipëria ka marrë këtu 22 piketa, fokusi kryesor do të jetë në politikën e mjedisit, tranzicionin energjitik, transportin, ndryshimet klimatike. Bujqësia, këtu Shqipëria ka marrë 18 kushte për mbylljen e negociatave. Fokusi kryesor do të jetë politika bujqësore dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, një nga fushat standardet e të cilit përbëjnë një sfidë të madhe. Menaxhimi i burimeve natyrore, peshkimi dhe politika e zhvillimit të rajoneve shqiptare. Kjo do të kërkojë modernizimin e sistemeve agro-ushqimore, edhe investime më të mëdha.



