TIRANË- Inspektorët e Shëndetit Publik janë paraqitur ditën e djeshme në ambientet e një lokali pranë Parlamentit. Shkak është bërë një telefontë e mbërritur në zyrat e Inspektoratit të Shëndetit për konsumim të duhanit, e cila ka denoncuar disa deputetë që po konsumonin duhan brenda ambienteve të Kuvendit. Trupa inspektues u angazhua për kryerjen e inspektimit dhe është paraqitur menjëherë në ambientet e Parlamentit.
Sipas Top Channel, në këtë situatë janë të përfshirë disa deputetë të cilët pretendohet se nuk kanë zbatuar ligjin për ndalimin e konsumimit të duhanit. Çështja është diskutuar edhe në Kuvend, fillimisht nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e më pas kanë ndërhyrë ministrja Evis Sala dhe kryeparlamentari Niko Peleshi.
Pjesë nga debati në Kuvend:
Bardhi: “Janë disa inspektorë që kontrollojnë ambientet e punës së deputetëve. Nuk ushtron dot kontroll prokuroria pa autorizim të seancës plenare. Jeni duke shkelur rëndë kushtetutën, jeni duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me gjestin që jeni duke bërë”.
Ministrja Sala: “Është inspektorati i autorizuar për të kryer kontrollet“.
Peleshi: “Duhani nuk duhet lejuar. Forma dhe procedura e inspektimit, padyshim z.Bardhi ka të drejtë. Për momentin se nuk bëhet kiameti, inspektorët të largohen”.
Ndërkohë, pas aksionit të djeshëm në kuvend, ka reaguar edhe Inspektoriati. Në reagim, theksohet monitorimi i vazhdueshëm në zbatim të ligjit, ku vetëm për periudhën 1 tetor – 4 dhjetor 2025, ISHSH ka kryer 1411 inspektime dhe 954 këshillime dhe 10 paralajmërime në të gjithë vendin. Janë marrë 2 Vendime të Ndërmjetëm te subjekte të cilat tregtonin produkte të duhanit.
Sa i përket situatës pranë Kuvendit, bëhet me dije se veprimi është iniciuar nga telefonata e mbërritur dhe u krye bë zbatim: “Për kryerjen e inspektimit në zbatim të Ligjit Nr. 9636, datë 06.11.2006, ‘Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit’, i ndryshuar” dhe “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Neni 33, Pika 1, germa “a”.
Reagimi i Inspektoratit:
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) kryen inspektime për monitorimin e zbatimit të Ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i ndryshuar. Inspektimet zhvillohen mbi bazën e Programit Vjetor të Inspektimeve dhe planeve mujore përkatëse.
Programi i Inspektimeve parashikon monitorimin e zbatimit të ligjit nr. 9636 gjatë periudhës tetor–maj. Megjithatë, ky program nuk kufizon veprimtarinë inspektuese vetëm në këtë interval kohor. Çdo inspektim i kryer nga inspektorët e ISHSH përfshin edhe vlerësimin e respektimit të kërkesave të ligjit në subjektet e kontrolluara.
Në zbatim të ligjit nr. 92/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, trupa inspektuese vijon të sigurojë këshillimin e subjekteve për parandalimin dhe shmangien e shkeljeve, si dhe t’i informojë ato në mënyrë të qartë mbi pasojat ligjore të çdo veprimi apo mosveprimi gjatë procesit të inspektimit.
Vetëm për periudhën 1 tetor – 4 dhjetor 2025, ISHSH ka kryer 1411 inspektime dhe 954 këshillime dhe 10 paralajmërime në të gjithë vendin. Janë marrë 2 Vendime të Ndërmjetëm te subjekte të cilat tregtonin produkte të duhanit.
Inspektorati mbetet i angazhuar në zbatimin rigoroz të këtij ligji, dhe shtron nevojen e domosdoshmërisë se bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe aktorëve për të siguruar një zbatim sa më efektiv.
Informacion mbi Denoncimin dhe Inspektimin pranë Parlamentit
Nisur nga telefonata e ardhur pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSh) Qendror, ku denoncohej pirja e duhanit në ambientet e Bar Kafe, e cila ndodhet brenda ambienteve të Parlamentit, trupa inspektues u angazhua për kryerjen e inspektimit.
Ky veprim u krye në zbatim të Urdhrit Nr. 20 dhe 20/1, “Për kryerjen e inspektimit në zbatim të Ligjit Nr. 9636, datë 06.11.2006, ‘Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit’, i ndryshuar”.
Inspektimi u bazua gjithashtu në kërkesat e Ligjit Nr. 99/2024, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Neni 33, Pika 1, germa “a”.
Trupa inspektues u paraqit pranë ambienteve të Parlamentit në datën 04.12.2025 në orën 13:00 dhe po në datën 04.12.2025 në orën 21:00, ku kreu inspektimin për zbatimin e Ligjit Nr. 9636./Top Channel



