Skandal dhe ngjarje e shëmtuar në Vlorë, plas grushti në fushë mes lojtarëve, tifozët nuk përmbahen, zbresin në fushë dhe krijojnë kaos.

Një përplasje e Skuadrones dhe Beshirajt kur kronometri shënonte 68 minuta e 30 sekonda lojë, ka sjell një ngjarje të paprecedentë. Gjyqtari shkon për ndalur lojtarët që po “kacafyteshin” në nerva e sipër loje, por “shpërthejnë” tifozët vendas që ndezin më keq situatën. Ata kapërcejnë rrethimin e brendshëm të stadiumit dhe futen në fushë, duke u përplasur me lojtarët kundërshtarë. Në fushë hynë në mënyrë të “rrufeshme” edhe e gjithë pankina e Teutës.
Një kaos i madh që e gjeti edhe policinë të papërgatitur. Uniformat blu shkuan menjëherë në tribunë e ultrasve nga ku nisi edhe e gjithë shëmtia. Policia po përpiqej që të evidentonte tifozët që shkaktuan incidentin e rëndë, që rrallë mund të shikohet në stadiumet tona dhe që mund të jetë ndër herët e para që ndodh në Vlorë. Ndeshja ndërpritet, pasi për futboll nuk mund të flitej më. Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi tejet i nervozuar shikohet që të komunikojë me sekretarin e klubit Alfred Ferko. Futbollistët e Teutës mblidhen në pankinë e tyre. Zëvendëstrajneri Andi Ribaj dhe kapiteni Lorenc Trashi shkojnë për t’i qetësuar. Gjyqtarët futen në dhomat e zhveshjes.
Ndërsa delegati i ndeshjes Armando Mandro ka kërkuar nga klubi dhe policia që të boshatiste të gjithë tribunën përballë (C-në) nga tifozët. Sinan Idrizi qëndron në pankinë dhe nuk lëviz nga vendi. Tifozët kuqezi nisin të largohen. Por policia pasi kontakton me ta, tregohet “zemërgjerë”, nuk i nxjerrë totalisht jashtë stadiumit, por i grumbullon në një qoshe afër daljes, duke i mbajtur aty pasi mori sigurinë që nuk do të vijonin më sjelljen arrogante. Skuadrat futen në dhomat e zhveshjes. Nuk po kuptohej se çfarë do të ndodhte.
Ekzistonte edhe frika e ndërprerjes së takimit dhe ndoshta një dënim edhe më i rëndë, me tri pikët në tavolinë. Çdo gjë u sqarua kur pas 13 minutash lojtarët e Teutës nisin që të dalin në fushë, pikërisht kur tifozët ishin larguar nga tribuna përballë asaj qendrore. Lojtarët nisin që të bëjnë nxehje për të mbajtur muskujt në aktivitet. Pas rreth 22 minutash nga ngjarja, gjyqtarët dalin në fushë dhe sinjalizojnë nisjen e ndeshjes. Përpara startit, kryesori Hamiti thërret Skuadronen dhe Beshirajn që u bënë “molla e sherrit” dhe u kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më. Nis loja aty ku u ndal në minutën e 68-të e 30 sekonda. Gjasat janë që pas këtij incidenti klubi të marrë dënim të rëndë, ku më e pakta do të jetë zhvillimi i disa ndeshjeve pa tifozë.
PAS NDESHJES – Policia rrethoi dhe shoqëroi gjyqtarët të hynin në tunel. Pas ndeshjes nuk pati më tensione. Policia ishte me forca të shtuara jashtë impiantit. Tifozët “u ngujuan” në një qoshe të stadiumit dhe në fund u larguan të qetë pa krijuar incidente. Trajneri Francesko Moriero bëhet për cigare ca nga trazirat e ca nga barazimi. Italiani është parë shumë i nevrikosur.
Më pas hyri në një nga llozhat e stadiumit me djalin e presindetit teksa po u panë të diskutonin. Më pas u bashkohet edhe Sinan Idrizi që e përgëzon për ndeshjen e zhvilluar nga ekipi. “Ndeshje shumë e mirë. Por jam i pakënaqur me lojtarët që për 30 sekonda humbën tri pikë”, mësohet se i ka thënë Idrizi teknikut italian. Më pas kreu i klubit u ngjit sërish në tribunë ku qëndroi për më shumë se 10 minuta me ish futbollistët legjenda të Flamurtarit, duke diskutuar rreth ndeshjes dhe incidentit të krijuar.
PANORAMASPORT.AL








