TIRANË- Deputetët e PD-së, anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, kanë kërkuar mbledhjen urgjente për të diskutuar çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqje imuniteti me qëllimin arrestimin. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, anëtarët e PD-së kërkojnë që Këshilli të mblidhet ditën e premte, në orën 11:00.
Në letrën e firmosur nga 5 anëtarët demokratë, nënvizohet se ka përfunduar afati prej më shumë se 1 jave për t’u njohur aktet dhe provat. Në kushte të tilla, opozita argumenton nevojën urgjente për t’u mbledhur Këshilli, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve.
Shkresa e plotë:
Z. Kryetar i Kuvendit,
Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, ose heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës, sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të Rregullores. Pika 6, e nenit 13 përcakton shprehimisht: “Këshilli mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose 1/2 së anëtarëve. Rendi i ditës caktohet nga Kryetari. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë.”.
Me shkresën nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Zëvendëskryeministrit Ministrit, znj. Belinda Balluku. Më kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme më datë 19 Dhjetor 2025, ora 10.30 min. Kryetari i Kuvendit në mënyrë të njëanëshme, pa vendim të Këshillit, vendosi të ndërpresë mbledhjen, pa caktuar një mbledhje tjetër, me qëllim sipas tij që anëtarët e Këshillit dhe palët të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.
Në këto kushte, në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne. 1/2 e anëtarëve të Këshillit:
Duke e konsideruar periudhën më shumë se 1 javë si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë:
Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;
Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;
Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;
KËRKOJMË:
1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e premte, datë 26 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit -Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.
2. Njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes, si dhe Rendin e Ditës anëtarëve të tjerë të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posacme, si dhe deputetes Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të saj ligjor, me qëllim që të ushtrojë të drejtën e saj të mbrojtjes përpara Këshillit.
Sjellim në vëmendjen tuaj z. Kryetar i Kuvendit, që thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6. të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.
ANËTARËT E KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN:
GAZMENT BARDHI
OERD BYLYKBASHI
ELDA HOTI
GENT STRAZIMIRI
SAIMIR KORRESHI



