Imuniteti i Ballukut, demokratët e gjejnë sërish sallën e mbledhjes kyçur, paralajmërojnë kallëzim për Peleshin


Imuniteti i Ballukut, demokratët e gjejnë sërish sallën e

deputetet e pd

TIRANË– Ka dështuar edhe këtë të enjte mbledhja e Këshillit të Mandateve e thirrur nga 5 anëtarët e Partisë Demokratike, për të diskutuar mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Ata janë paraqitur për të zhvilluar mbledhjen që vetë e kanë thirrur, por dyert e zyrës ku zhvillohet mbledhja ishin të mbyllura.

Deputeti i PD, Saimir Korreshi duke ironizuar u shpreh se “Niko Peleshi dhe administrata kanë harruar çelësin”.

“Kjo është situata, edhe viti i ri edhe pse Niko ka harruar dritat ndezur, ka harruar të hapë edhe derën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Kjo është situata. Ju e patë që s’kishte administrata para disa ditësh. Sot edhe pse është administratë, kanë harruar çelësat. Edhe pse mbledhja e këshillit është e vlefshme përsëri nuk përgjigjet as Niko as administrata”, tha deputeti demokrat.

Ndërkohë që në një komunikim me mediat, nga kryesia e Kuvendit, deputetët e PD paralajmëruan dorëzimin e një kallëzimi penal për kryeparlamentarin Niko Peleshi.

Sipas PD, Kuvendi me urdhër nga kryeministri po mban peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku. Deputetët e PD e gjejne derën e sallës së mbledhjes të mbyllur”, u shprehën deputetët demokratë.

Sipas deputetetit Oerd Bylykbashi, mazhoranca socialiste, me urdhër direkt nga kryeministri Rama, ka refuzuar për të pestën herë kërkesën e anëtarëve të opozitës për të mbledhur Këshillin. Ai theksoi se ky bllokim përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, e cila, sipas tij, i jep të drejtën gjysmës së anëtarëve të Këshillit që ta thërrasin mbledhjen, njësoj si kryetari.

“Praktikisht, Edi Rama, duke urdhëruar mazhorancën dhe kryetarin e Kuvendit, po e kthen Kuvendin dhe procedurën për heqjen e imunitetit në një korracë për mbrojtjen e korrupsionit,” tha Bylykbashi. Ai shtoi se “urdhri vjen i pastër nga Edi Rama” për të mos lejuar që Këshilli të bëjë detyrën e tij kushtetuese.

Deputeti demokrat sqaroi se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut nuk vjen për shkak të pamundësisë për zbatimin e pezullimit nga detyra, por për shkak të rëndimit të rrethanave.

“Sipas prokurorisë, është rritur rrezikshmëria shoqërore e të pandehurës, pasi ajo ka intimiduar dëshmitarë dhe janë shtuar akuzat ndaj saj,” u shpreh ai.

Opozita e cilëson këtë veprim si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj reformës në drejtësi dhe një përpjekje për të penguar hetimin e korrupsionit në nivelet më të larta. “Me këto veprime, Edi Rama nuk bën gjë tjetër, veçse kërkon të mbrojë veten e vet. Kjo nuk është mbrojtje për Ballukun,” theksoi Bylykbashi.

Në përfundim, ai njoftoi se kallëzimi penal i përgatitur ndaj Niko Peleshit do të depozitohet së shpejti. Sipas opozitës, largimi i qeverisë aktuale mund të arrihet vetëm përmes protestave të vazhdueshme popullore.

Poll



Source link

Scroll to Top