TIRANË- Seanca e djeshme plenare ka zgjatur për rreth 14 orë mes tensioneve, debateve dhe përplasjeve të forta. Akuza të forta janë shkëmbyer mes deputeti demokrat, Flamur Noka dhe socialistit Ardit Bino. Demokrati ka hedhur akuza ndaj Binos, duke pretenduar se ky i fundit ka falsifikuar dokumente me qëllim vjedhjen e pronave në zonën e Gjipesë. Noka i ka kujtuar kohë më parë, kur Bido i kërkonte punë, teksa për këtë thotë se ka dëshmitar Bujarin dhe Shpëtim Idrizin
“Kur të vijë çështja e Gjipesë ngrije dorën ti, ai do jetë varri yt ligjor dhe politik. Gjipeja, pusho! Të pickova ku të dhemb fort. E di ti ku fle lepuri. Lepuri fle në Gjipe. Aty te 22 hektarët, por mos kujto se kreu i narkos do jetë i gjatë. Jo,jo, ajo Gjipeja do të bëhet makthi yt. Sepse ti ke urdhëruar dhe je hartues i një falsifikimi, ideatori i vjedhjes së pronës së himariotëve. E di që e ke gjumin e prishur, e mbaj mend kur qaheshe të unë të të ndihmoja me ndonjë punë e betoheshe se ishe i PD-së. Të njoh mirë, Ja është dëshmitar Bujari dhe Shpëtim Idrizi, ishe gati të fshije këpucët, nuk ta zgjidh dot hallin. Gjipeja s’do të lësh të flesh gjumë deri kur të shkosh te vendi. Ka shumë socialistë këtu por nuk preken se lugën e çorbës nuk e kanë ngrënë të gjithë”, tha Noka.
Nga ana tjetër, Bino i është përgjigjur, duke i kujtuar Nokës gafën e 28 nëntorit, kur tha se flamuri i pavarësisë në Vlorë në vitin 1912 u ngrit nga Skënderbeu.
“Opozita të mos flasë për historinë e kombit se na e bën pis. Më kujtohet në zgjedhjet e kaluara sesi kandidati shënonte ‘flamuris nokas’. Nuk pres të dijë as kush e ka ngritur flamurin e as ku e ka ngritur Flamurin. Sa bën kostumi yt sot, është pasuria ime sot. I bie në moshën 14-vjeçare sipas Nokës kam futur një dokument. Sa i përket asaj që kam kërkuar punë te ti, që në moshën 19-vjeçare kam marrë 1 mln lekë. Diferenca është të jesh i pasur pa punuar asnjë ditë”, tha Bido.
Kuvendi mbylli rreth mesnatës seancën maratonë, me miratimin e 13 projektligjeve dhe 2 projektvendimeve, të cilat përfshijnë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare dhe ratifikimesh financiare për projektet hekurudhore të Korridorit VIII, aderimin në traktate dhe memorandume ndërkombëtare, ndryshime në ligjet e sektorit minerar, shëndetit publik, integrimit europian dhe funksionimit të Avokatit të Popullit, si edhe një ligj të ri që rregullon përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve për menaxhimin e mbetjeve./ZËRI




