Antonio Kasano ka zbuluar se si ka bërë maksimumin që Roma të humbte një titull kampion. Bëhet fjalë për një ndeshje që Roma humbi në prillin e vitit 2010 përballë Sampdorias ku aktivizohej pikërisht Kasano.

Në atë ndeshje në ”Olimpiko”, Roma u mund 2-1 dhe humbi shanset për t’iu afruar Interit, ndaj të cilit kishte rikuperuar për disa javë radhazi duke vënë në dyshim vendin e parë të ekipit të Murinjos. Kasano, i cili më përpara kishte kaluar 5 vite te Roma, ka treguar gjithçka në programin e tij, “Viva el Futbol”.
“Para asaj ndeshjeje, miku im Vito Skala më tha se Toti dëshironte të fliste me mua. Shkova te Pupone, i cili filloi të më thoshte se po kalonim një sezon të shkëlqyer, duke më pyetur për familjen time e gjëra të tilla. I thashë: ‘Hajde, çfarë do të më thuash? Hajde, mos më çaj…”. Dhe ai tha: ‘Oh… e di… nëse fitojmë ndeshjen sot, mos u shqetëso, do t’i fitosh tre të tjerat. Do të shkosh në Ligën e Kampionëve gjithsesi’. Unë u përgjigja ‘E kuptoj… Sot po të them se do t’i fitoj katër ndeshjet e fundit. Sot do të të bëj të humbasësh titullin dhe do të të bëj të qash, veçanërisht do të bëj të qajnë njerëzit të cilët kur u largova nga këtu, më ofenduan si qen. Ndeshja shkoi ashtu siç doja. Mbaroi 2-1 për ne”, tregoi Kasano.
Daniel Adani dhe Nikola Ventola, të pranishëm edhe ata si zakonisht në emision, insistuan se Toti nuk e kishte seriozisht. Edhe Kasano e konfirmoi, por ndërkohë, nuk ngurroi të shtonte dozën e talljes.
“Po, Françesko po bënte shaka. Ai e bëri të dukej sikur po thoshte ‘Hajde, do t’i fitosh tre të fundit.’ Unë i thashë, ‘Jo, nuk e kupton, kam nevojë për ta… Do të shkoj në Ligën e Kampionëve dhe do të fitoj katër të fundit. Por edhe nëse nuk kam nevojë për ta, do të fitoj gjithsesi sepse sot do të të bëj të qash’. Dhe kjo është ajo që ndodhi. Dola nga stadiumi vetëm me mbathje, po kënaqesha si i çmendur”, ishin fjalët e Kasanos që kanë pushtuar rrjetin dhe po komentohen gjerësisht nga tifozët e Romës.
PANORAMASPORT.AL








