TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot dy fragmente nga dosja hetimore e SPAK në ngarkim të Belinda Ballukut dhe pesë zyrtarëve, të gjithë të akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Konkretisht Bardhi ka publikuar nga dosja hetimore një bisedë mes Ballukut dhe Berberit, ku zv.kryeministrja pyet për një ndryshim në procedurën e tenderit të hapur për tunelin e Llogarasë.
Belinda Balluku: Nje pyetje
Evis Berberi: Po
Belinda Balluku: Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”
Evis Berberi: Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit
Belinda Balluku: Po cne ? Kush e beri kerkesen e KPP?
Berberi: Ne kpp çfarë kerkese eshte bere. Te takimi qe patëm ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kërkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit. Sipas Vkm eksperienca duhet kërkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar përpara takimit me Pellubmin kete gje me ty.
Belinda Balluku u paraqit më 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. Të pandehur janë edhe Gentian Gjyli, kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, i arrestuar tashmë për një tjetër çështje, drejtori aktual i OSHEE-së Erald Elezi, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica, të cilët ishin pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
SPAK njoftoi se ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend./ZËRI





