TIRANË- Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari gjatë një konference për mediat, i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe çështjet e ndjeshme në vend, të cilat presin një rezultat të hetimeve. Në lidhje me hetimet për atentatin e Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, më 11 nëntor, Lamllari tha se Policia e Shtetit e ka kryer detyrën. Lamallari u shpreh i bindur se drejtori i ri i Policisë së Shtetit do të fokusohet dhe në vijim sipas tij do të kemi rezultate pozitive.
“Kjo është puna e hetueseve sa i përket rastit në fjalë, unë mendoj se policia e shtetit e ka kryer detyrën. Unë jam i bindur se drejtori i ri i policisë siç bëri edhe gjatë prezantimit të tij do të ketë në fokus forcimin e besimit brenda dhe jashtë vendit. Kam besim se në vijim do të kemi rezultate pozitive”, tha Lamallari.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm refuzoi të jepte një koment mbi fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë që prej vitit 2023. Lamallari u shpreh se nuk mund të jap informacione si një titullar politik që është. Ai theksoi se informacionet i disponojnë oficeri i policisë gjyqësore dhe prokurori i çështjes.
”Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacinale. Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, tha Lamallari.
SPAK ka marrë në dorë hetimet për atentatin e bujshëm pranë aeroportit të Rinasit, më 11 nëntor 2025, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Prokuroria e Tiranës ia ka kaluar kompetencat Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, pas dyshimeve se ngjarja është në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pas kryerjes së verifikimeve, prokuroria e Tiranës doli në konkluzionin që SPAK është organ kompeten për ta hetuar ngjarjen.
Nga ana tjetër Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022. Sipas ligjit, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon nga vendbanimi i tij dhe nuk ka pasur asnjë lajm për të për më shumë se dy vite.



