TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar në total rreth 180 vite burg për katër ish-krerë të UÇK-së. Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, Berisha shprehet se këto janë “akuzat më të rënda” dhe të pabazuara, pasi sipas tij, gjatë procesit gjyqësor nuk janë paraqitur prova konkrete që të faktojnë krimet e pretenduara.
Lideri demokrat e cilësoi aktakuzën si një ripërsëritje të pretendimeve dhe shpifjeve të propagandës ultranacionaliste serbe, teksa i bën thirrje Gjykatës që të mos ndikohet nga këto akuza dhe të marrë vendime të bazuara vetëm në ligj dhe prova, por të konfirmohet pafajësia e ish-udhëheqësve të UÇK-së në emër të ligjit.
Reagimi i plotë i Berishës:
Prokuroria në Hagë paraqiti sot aktakuzën ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës!
Të dashur miq, sot prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës.
Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit, deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të Natos në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë.
Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.
Të hënën, 9 shkurt, ka nisur paraqitja e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale të Hagës. Dhënia e deklaratave përmbyllëse do të përfundojë më 18 shkurt.
Prokurorja ëest ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por vetëm për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim në total për 4 ish-krerët e UÇK-së.
Sipas Prokurorisë së Specializuar, ata akuzohen për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme, si dhe për krime kundër njerëzimit, si burgosja, aktet çnjerëzore, zhdukjet me forcë dhe përndjekjet. Pretendohet se këto krime janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë./ZËRI




