TIRANË- Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga seancat plenare të Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokës dhe deputeteve demokrate, Albana Vokshit dhe Elda Hotit. Sipas kërkesës së depozituar, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë të Nokës dhe me 30 ditë të Vokshit dhe Hotit. Kërkesa vjen pas debateve në seancën plenare të zhvilluar ditën e djeshme. Hoti gjatë seancës së djeshme tentoi t’i hiqte kartën e deputetes nga pajisja për të ndërprerë fjalën e Bora Muzhaqit, ndërsa opozita bllokoi sallën.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla debatoi me deputeten Hoti. Me pretendimin se Balla ofendoi dhe kërcënoi deputeten Hoti, Flamur Noka goditi me shishe uji kreun e grupit parlamentar socialist dhe kërcënoi Ballën.
“Do të të rrjep si kec. Je ai që kërcënon dhe shantazhin deputetet e opozitës. Të rrjep si kec. Të bëj atë që as nuk të shkon në mendje”, i ka thënë Noka-Ballës.
Ndërkohë nga ana tjetër edhe Partia Demokratike kërkoi sot përjashtimin e Taulant Ballës nga Kuvendi dhe Komisionet me 60 ditë. Në kërkesën e dorëzuar tek Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, deputetët demokratë argumentojnë se Balla ka përdorur gjuhë fyese ndaj deputetes Elda Hoti, në seancën e 2 prillit. Demokratët shtojnë se me të njëjtën sjellje, Balla i është drejtuar edhe deputetit Fatmir Mediu.
Seanca e 2 prillit është zhvilluar nën tensione dhe debate të ashpra mes palëve. Një propozim i kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla për të mbajtur një minutë heshtje në nder të katër viktimave të 2 prillit 1991 në Shkodër, prishi qetësinë në Parlament, teksa opozita akuzoi shumicën për provokim.
Situata u tensionua, kur deputetët e PD-së, bllokuan foltoren e Kuvendit pasi kërkuan që ti përgjigjen Ballës, ndërsa deputetja Elda Hoti i hoqi kartën e votimit deputetes së PS-së, Bora Muzhaqi. Më pas, tensionet vijuan edhe për disa minuta, ku u shkëmbyen fjalë fyese mes palëve./ZËRI




