Gjyqtarja e ‘Partizanit’ dhe ‘Metës’ shkakton debat në KLGJ, opozita insiston për shkeljet e Gjokës


Gjyqtarja e 'Partizanit' dhe 'Metës' shkakton debat

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Raportimi i krerëve më të lartë të Drejtësisë në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale është shoqëruar nga debatet. Gjyqtarja Irena Gjoka që ka shqyrtuar çështje me rëndësi si ajo e “Partizanit” në ngarkim të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, ndërsa së fundmi ka në dorë edhe dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ka qenë shkak për debate nga ana e opozitës. Deputetët opoiztarë i kërkuan Prokurorisë së Përgjithshme llogari për mos dërgimin në KLGJ të konstatimit të shkeljeve të gjyqtares Gjoka, e cila është sulmuar së fundmi edhe nga kryedemokrati Sali Berisha. 

Deputeti Oerd Bylykbashi ka kërkaur llogari se pse gjyqtares Gjoka i caktohen çështjet e liderëve të Opozitës, si ajo e Berishës apo Metës. 

“Si shpjegohet që kjo zonjë vijon të jetë në detyrë dhe vazhdimisht i caktohen çështjet që kanë të bëjnë me liderët e opozitës”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Belind Këlliçi ka vijuar debatin me akuza ndaj gjyqtares, për të cilën thotë se çështjet që ajo ka në shqyrtim, mund të çohen në Strasburg nëse merret vendimi për ta larguar nga sistemi. 

“Sot që ne flasim, personi në fjalë ka çështje shumë sensitive, jo vetëm me politikën, por edhe me krimin e organizuar. Ne momentin që do të merret vendimi për t’u larguar nga sistemi kjo zonjë, mundet që çështjet të çohen në Strasburg dhe t’i shkaktohet shtetit dëm i madh”, tha Belind Këlliçi.

Lidhur me akuzat e opozitës se Gjoka është dënuar në Greqi me vendim të formës së prerë, përfaqësuesi i Prokurorisë, Kostaq Beluri, i ka kundërshtuar me pretendimin se nuk ka arritur në këtë konkluzion.

“Ju thatë se ajo është e dënuar me vendim të formës së prerë. Unë nuk kam arritur në konkluzion që është dënuar me vendim të formës së prerë”, u përgjigj përfaqësuesi i Prokurorisë, Kostaq Beluri.

Kryedemokrati Sali Berisha pretendon se Gjoka është dënuar më herët në Greqi me 3 muaj burg dhe gjobë për falsifikim dokumentesh dhe e ka fshehur këtë fakt. Lidhur me pretendimin e tij, Berisha ka publikuar edhe një dokument të prezantuar si një vendim i Gjykatës së Janinës në Greqi. 

Irena Gjoka është gjyqtarja e hetimit paraprak për dosjen “Partizani”, me të pandehur Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ajo është shpesh objekt i sulmeve nga Berisha, i cili e akuzon si mashtruese. Ndërsa, pasi u zgjodh gjyqtarja e seancës paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika kryemadhi, gjyqtarja Gjoka u sulmua edhe nga Partia e Lirisë./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top