Një skandal i rëndë ka shpërthyer në futbollin turk, ku një hetim i Federatës së Futbollit, ka zbuluar se ka një epidemi të mirëfilltë në radhët e gjyqtarëve sa i përket varësisë ndaj basteve sportive. Qindra gjyqtarë, disa prej të cilëve punojnë në kategoritë kryesore të futbollit në vend, dyshohet se kanë vënë baste në ndeshje futbolli në shkelje të rregulloreve federale.

Gjithçka u bë e ditur këtë të hënë nga Ibrahim Haçiosmanoglu, president i Federatës Turke të Futbollit (TFF), i cili foli hapur për “një krizë pa precedent” dhe premtoi veprime të menjëhershme.
Hetimi i brendshëm i 571 gjyqtarëve ka zbuluar të dhëna tronditëse: 371 prej tyre kanë llogari në kompani lojërash fati dhe 152 vënë baste rregullisht. “Ne jemi të vendosur ta çlirojmë futbollin nga të gjitha format e korrupsionit. Nuk do të bëjmë përjashtime”, deklaroi Haçiosmanoglu në konferencë për mediat, duke paralajmëruar masa të rrepta.
Ndër shifrat e bërë publike, saktësohet se dhjetë gjyqtarë dyshohet se kanë vendosur më shumë se 10000 baste secili, ndërsa vetëm një gjyqtar thuhet se ka vendosur baste 18227 herë. Në total, 42 gjyqtarë besohet se kanë qenë të përfshirë në mbi 1000 ndeshje secili. Ndër të përfshirët janë 22 gjyqtarë në nivel kombëtar, 7 gjyqtarë kryesorë dhe 15 asistentë. Federata për momentin nuk ka publikuar emrat e personave të përfshirë.
PANORAMASPORT.AL








