TIRANË-Ish-ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në një konferencë për shtyp, ka folur në lidhje me procesin gjyqësor ndaj tij, Gërdecin. Mediu e ka quajtur procesin një sajesë politike, ndërkohë ka deklaruar se nga hetimet nuk ka rezultuar se është i përfshirë në korrupsion.
Mediu është shprehur se Gjykata dhe Prokuroria kanë marrë vendimin se akuza ndaj tij nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec, por vetëm me çështje teknike ushtarake.
Fatmir Mediu: Procesi ndaj meje, sajesë politike që përpiqet të luajë me tragjedinë. Që në fillim të ngjarjes kam dhënë dorëheqjes dhe kam dorëzuar imunitetin për t’i hapur rrugë drejtësisë. SPAK dhe prokuroria më kanë hetuar mua dhe familjarët edhe për çështje private e shëndetësore, por vetë prokuroria ka provuar se nuk isha i përfshirë në asnjë akt korrupsioni ndaj më ka akuzuar për “Shpërdorim detyre” jo për korrupsion. Nuk ka asnjë lidhje apo transaksion i përfituar nga unë. Gjykata dhe prokuroria kanë marrë vendimin se akuza ndaj meje nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec, por vetëm me çështje teknike ushtarake.
Ish-ministri i Mborjtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI





