TIRANË- Kryeministri Edi Rama komentoi sërish rritjen e çmimeve të karburanteve, duke deklaruar se në tregun e naftës do të hyjë një kompani publike për të garantuar çmime të drejtë për qytetarët. Në Asamblenë e PS në njësinë nr.4 në kryeqytet, Rama u shpreh se ligji për rezervat është në proces konsultimi dhe se qëllimi është të formalizohet tregu i naftës.
Ai theksoi se sot një pjesë e naftës në Shqipëri është jashtë radarëve të shtetit dhe se po punohet me ndihmën e një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të vënë situatën nën kontroll.
“Ne do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike, për të garantuar që qytetarët, nuk detyrohen të paguajnë më shumë se çju takon. Ligji për rezervën, ligji i ri është në proces konsultimi. Kemi pasur një naftë që markohej, për të indentifikuar naftën që vjen në mënyrë legale. U munduam ta rregullonim. Kemi krijuar kompani publike, do nxjerrim për 1 ose 2 muaj, do nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i manipulueshëm. Do formalizojë tregun e naftës. Ne duam që kompania publike të arrijë në pikën që të jetë furnizues në treg, të përcaktojë rregullat e lojës, duke vendosur një çmim real duke u bazuar te bursa.
Ekziston një sasi nafte që është jashtë radarëve të shtetit. Do të shqyrtojmë edhe naftën tranzit. Edhe për këtë kemi produkt me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka aksione shteti shqiptar për të ndjekur naftën tranzit, që deri më sot është ndjekur me makina. Ne duam që kompania publike të jetë furnizues në treg. Kjo sjell një çmim real për naftën, bazuar mbi bursë, që jep fitime, por mos të ketë abuzime”, deklaroi Rama./ZËRI



