TIRANË- Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në një konferencë për mediat, ka folur në lidhje me ftesën që presidenti i SHBA Donald Trump i ka bërë kryeministrit Edi Rama, për të qenë pjesë e “Bordit të Paqes”, një organizëm i ri ndërkombëtar, ku Shqipëria ftohet në cilësinë e vendit anëtar themelues.
“Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju disa komente mbi një zhvillim me rëndësi të veçantë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe për mënyrën se si dinamika krejt e re e politikës sonë të jashtme në dekadën e fundit po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë”, u shpreh Spiropali në konferencën për shtyp.
Sipas saj, ftesa e bërë nga Presidenti amerikan për Shqipërinë, në cilësinë e vendit anëtar themelues, përfaqëson një vlerësim të lartë për rolin e ri që vendi ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
“Në krye e mbi të gjitha, kjo ftesë është një vlerësim i lartë për rolin që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se ftesa e presidentit amerikan është edhe një vlerësim për lidershipin e kryeministrit Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes”, tha ajo.
Ndërkohë që sipas Spiropalit, Shqipëria nuk ka asnjë detyrim financiar për të qenë pjesë e bordit, si dhe sulmet politike që po i bëhen qeverisë shqiptare janë të padenja. Ministrja e jashtme deklaroi gjithashtu se bordi i Paqes nuk bie ndesh me qëllimet dhe me misionin e OKB-së.
“Dua të sqaroj në fillim se Bordi i paqes nuk është vetëm për Gazën edhe pse zgjidhja e situatës atje, sigurisht ka një urgjencë më të madhe dhe buron edhe nga Plani i Paqes i Presidentit Trump, ku tani në fazën e dytë për planin gjithëpërfshirës pas kalimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezoluta e 2803, i hapet rrugë krijimit të Bordit të Paqes. Dua këtu të kthej disa përgjigje të shkurtra në lidhje me detyrimet, por edhe me angazhimet në vijim. Jo, nuk ka detyrime financiare, është një ftesë nga Trump, pra e drejtpërdrejtë.
Nuk ka angazhim tjetër përveçse angazhimit të shpallur botërisht dhe që ne e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord dhe sigurisht që Shqipëria me statusin e anëtarin Themelues të Bordit të Paqes, do të shoh në vijim angazhimet të cilat burojnë nga statuti. Por, është një organizëm suixhenis, por që aspak dhe për asnjë arsye nuk i kundërvihet OKB-së, përkundrazi, rrjedh nga një rezolutë e Kombet të Bashkuara, mbi krijimin e Bordit të Paqes”, vijoi Spiropali.
Ministrja u pyet edhe për projektin që vajza dhe dhëndri i Donald Trump synojnë që të investojnë në Sazan, ndërsa tha se nuk kemi të bëjmë me një falje tokash, siç pretendohet nga një pjesë e opozitës në Shqipëri, ndërsa komentoi edhe deklaratat e sekretarit të shtetit, për grupet kriminale.
“Në asnjë moment sekretari Rubio apo të tjerë nuk i janë referuar Shqipërisë, që sigurisht nuk përjashtohet nga fenomene të tilla, por për të cilin nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët, as autoritetet në vende të tjera ku ato shfaqen, ashtu si të gjithë shtetet e tjera kanë sfidat e tyre për luftën kundër krimit, trafikut të drogës. Etj. Ajo që është e qartë dhe besoj si drita e diellit është që SHBA dhe Shqipëria kanë partneritet të fortë strategjik, që nuk është lëkundur, dhe sic po e shihni edhe nga kjo ftesë, sigurisht që ky partneritet është i palëkundur dhe prioritetet së SHBA sa i takon pjesës që duhet të bëjmë janë edhe prioritetet tona. Të tjerat janë spekulime politike që mund të rrohet përkohësisht por nuk mund të krijohet alternativë e besueshme dhe e qëndrueshme. Ivanka Trump jo vetëm familja e presidentit, por të gjithë zyrtarët janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi detyrim të japim informacion për vizitat e tyre qoftë private apo zyrtare. Nuk ka plane për falje toka. Askush nuk kërkon që Shqipëria të falë toka, por ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore”, tha ajo.
Presidenti Donald Trump pritet që të kryesojë bordin dhe do të shoqërohet nga një grup figurash të larta politike, diplomatike dhe biznesi, përfshirë dhëndrin e tij Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special të SHBA-ve Steve Witkoff dhe miliarderin Marc Roëan, ndër të tjerë.
Bordi Ekzekutiv i Gazës, i cili mbështet qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve, do të punojë së bashku me Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë dhe Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës për të çuar përpara “paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha në X se përbërja e Bordit Ekzekutiv të Gazës nuk ishte e koordinuar me Izraelin dhe “është në kundërshtim me politikën e tij”. Shtëpia e Bardhë tha se anëtarët shtesë të Bordit Ekzekutiv dhe Bordit Ekzekutiv të Gazës do të shpallen gjatë javëve të ardhshme, ndërsa numri total i shteteve që do të marrin pjesë nuk është konfirmuar ende. /ZËRI



