Forumi i investimeve Shqipëri-Turqi, Rama: Jemi një ishull mundësish që të shumëfishoni fitimin në pak kohë


Forumi i investimeve Shqipëri-Turqi, Rama: Jemi një ishull

rama fjalim pershendetes

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë një fjalim përshëndetës për forumin e investimeve Shqipëri-Turqi, që po mbahet sot në Tiranë.

Kryeministri Rama, e ka quajtur Shqipërinë një ishull mundësish për investitorët e huaj, të cilët mund të shumëfishojnë fitimet në një kohë të shkurtër. Sipas Ramës, vetëm këtë vit, rreth 300 mijë turistë nga Turqia e kanë vizituar Shqipërinë, një shifër kjo e jashtëzakonshme.

Rama tha se qeveria që ai drejton është e gatshmë që të dëgjojë dhe të mirëpresë çdo investim të huaj në Shqipëri, në mënyrë që ato të shndërrohen në një histori suksesi.

“10 vjet më parë, me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, vumë një objektiv të thjeshtë, të dyfishonim shkëmbimet tregtare. Sot kemi shkuar përtej, nga 250 mln euro në mbi 1 miliard në vetëm 9 muajt e parë të këtij viti. Nga 300 sipërmarrje me kapital turk, në mbi 1 mijë sot. Nga disa qindra punonjës, në 15 mijë të tillë që punojnë në sipërmarrjet turke në vendin tonë. Ajo që vlen më shumë se numrat, është fryma. Të ndërtojmë një autostradë suksesi mes Adriatikut dhe Bosforit. Kjo marrëdhënie është vëllazëri!”, u shpreh Rama. 

“Nuk jemi më ishulli i mbyllur, por një vend i hapur dhe një ishull bukur mundësish që mund të shumëfishosh fitimin në pak kohë. Me taksa të ulëta me një treg që pret krahëhapur sipërmarrjen turke. 300 mijë turistë nga Turqia vizituan këtë vit Shqipërinë, shifër e jashtëzakonshme kur oreksi vjen duke ngrënë thotë një shprehje e për Porta më e afërt e Turqisë me BE-në. Qeveria shqiptare më shumë se qeveri mike është partnere strategjike që është gati të mikpresë, dëgjojë ndihmojë dhe garantojë që çdo investim të kthehet në një histori suksesi”, vijoi fjalën e tij kryeministri. 

Tirana mirëpret sot forumin më të madh të investimeve Shqipëri-Turqi 2025, një ndër ngjarjet ekonomike më të rëndësishme të vitit, i cili organizohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me MÜSİAD Albania, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Ky forum i nivelit të lartë pritet të mbledhë mbi 1500 pjesëmarrës nga të dy vendet, përfshirë përfaqësues të lartë qeveritarë, investitorë, sipërmarrës dhe aktorë të zhvillimit ekonomik, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nxitjen e investimeve të ndërsjella.

Fokusi i forumit do të jetë në katër sektorë strategjikë me potencial të lartë zhvillimi, përkatësisht ndërtimi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe bujqësia së bashku me industrinë ushqimore./ZËRI 

Poll



Source link

Scroll to Top