Fondi Social 2026/ Rama: Shtrirje shërbimesh në nivel vendor, buxheti është 6-fishuar! Gonzato: Po investojmë 100 milion euro


Fondi Social 2026/ Rama: Shtrirje shërbimesh në nivel vendor, buxheti

edi rama-silvio gonzato

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në eventin “Fondi Social 2026-Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”, ku u prezantuan 14 shërbime të reja sociale. Fondi Social 2026 do të financojë 14 shërbime të reja dedikuar fëmijëve dhe nënave në nevojë, të rriturit me aftësi ndryshe, të moshuarit dhe gratë e vajzat që janë viktima të dhunës, si dhe fëmijë që janë pa kujdes prindëror. 

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se përpjekja nisi në kushte të vështira, pasi sipas tij kishin borxhe të akumuluara, që qeveria duhet t’i shlyente. Kreu i qeverisë thekson se një nga risitë kryesore ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivel vendor, një hap që sipas Ramës, ka dhënë sinjale inkurajuese se është në drejtimin e duhur. 

Rama thekson ndër të tjera se, buxheti për mbështetjen sociale është rritur 6 herë dhe është 17% më i lartë se më parë. 

“Përpjekja nisi në kushtet tejet të vështira me një borxh të akumuluar prej dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuara më shumë përpjekje, reforma dhe më masa këmbëngulëse. Risia ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivel vendor dhe përfshirja e pushtetit vendor në mënyrë aktive gjë që është në hapat e ara, por që tani na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë. Çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe shifrave që janë inkurajuese se që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është shumë domethënëse.

Nga ana tjetër, bazuar dhe në mënyrë sesi funksion shoqëria shqiptare, që nuk është akoma tërësisht e perëndimorizuar në pikën që njeriu nuk i thotë mirëmëngjes njeriut dhe pse jetojnë përballë, është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë përfshirjen e familjeve në këtë sistem të përkujdesjes sociale. Këtu duhen gjetur mekanizmat e financimi me pushtetin vendor, kryetarët e bashkisë janë aktorët kryesorë për të arritur të përcjellin sensin e kësaj qasje dhe të bëjnë punën e nevojshme bindëse. Buxheti është domethënë, është rritur 6 herë nga momenti që ne kemi nisur këtë përpjekje. Është 17% më i lartë këtë viti sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është i gjithi dhe as nuk i zgjidh dot të gjitha.”, tha Rama.

Ambasadori i BE në Shqiëpri, Silvio Gonzato, gjithashtu pjesëmarrës në event theksoi rëndësinë e investimit në mirëqenien sociale. Sipas diplomatit europian deklaroi se mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në rajon. 

“Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria.

Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë. Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar. Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes”, tha Gonzato./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top