TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve të mbledhur tek Kryeministria.
Sali Berisha: Të dashur miq, këto ditë ka sjellë në parlament buxhetin e shëndetësisë. E rrita, thotë. E vërteta është se krahasuar me vitin 2013, buxheti i shëndetësisë është ulur të paktën me 500 milionë euro. A ka sot hall më të madh për shqiptarin se sa të sëmurët? Erdhi koha të themi Zoti e shpëtoftë nga spitalet, sepse shkon në spital, duhet të blejë çdo ilaç, duhet të paguajë çdo shërbim. Ka shkatërruar një sistem të tërë dhe për vete vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh. Po arsimi? Po shkollimi? Një shkatërrim me dokumente, me vlerësime zyrtare, si në asnjë vend tjetër. Të dashur miq, Edi Rama ka dy armë për të shkatërruar këtë komb, ai nuk përdor kampet e përqendrimit, nuk përdor burgjet e mëdha politike, ndonëse burgos politikisht. përdor vjedhjen. Vjedh me bandën e tij 90 përqind të të gjitha fondeve për punët publike. A mund të imagjinoni ju, një magazinier i Salillarit është fitues tenderi 60 milionë euro për portin e Vlorës?
A ka akt më flagrant vjedhjesh se sa ky? A mund të imagjinoni shqiptarë që rruga të ndërtohet me çmim 10 herë më të lartë se në Europë. Lexoni, në qoftë se gjeni kund në botë një rrugë gjithsej 19 kilometra, që ishin pa ndërtuar nga Unaza, dhe të ndahet ajo në 17 lote. Po nuk mund të ndahet kurrë, kurrë. Maksimumi në dy lote, tre. Se si t’u vjedhë 17 herë ju. Si të vjedhë 17 herë shqiptarët. Se si të rrisë çmimin 5 herë në vjedhje. A do vazhdojmë ne? Jo, ne nuk e lëshojmë këtë shesh. Ky është sheshi ynë. Ne dalim nga ky shesh vetëm kur të shpëtojmë shqiptarët. Vetëm kur të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo bandë.
Miq, arma e dytë e tmerrshme e kësaj bande është droga. Çfarë ndodh me drogën? Euro përtokë sepse vijnë eurot e drogës me kontejnerë. Me qindra ndërmarrje të eksportit falimentojnë. Me mijëra punëtorë dalin pa punë dhe marrin rrugët e dheut. Kjo është mënyra. Ikin se shkatërrohen vendet e punës. Çfarë ndodh? 35 përqind zhvlerësohet euro.
Ata pensionistë që jetojnë me ndihmën e familjarëve të tyre, marrrin 35 përqind më pak, bëhen 35 përqind më të varfër. Çfarë ndodh? Çmime stratosferike në ndërtime se baronët e drogës nuk i kanë gjë paratë. Çfarë ndodh? Ligjin e bën droga. Droga vret në aeroport, droga vret në Elbasan, vret kudo, vret dhe vret cilindo. Dhe Edi Rama qeveris së bashku me ta. Do e pranojmë ne këtë? Jo, kurrë. Ky e ka shndërruar parlamentin në institucionin më qesharak, më të turpshëm të vendit Po parlamenti është përfaqësuesi juaj, është vota juaj, është vullneti juaj. A do e lejojmë ne ta përdorë parlamentin në mënyrën siç po e përdor ky? Jo, kurrë. Ndaj dhe koha është e jona. Këtyre u ka ikur koha. Koha e tyre është një kohë e zezë dhe këta duhet të shkojnë për veprat e tyre të zeza që u kanë bërë shqiptarëve.



