Përfaqësuesja “Dardane” do të luajë në Sllovenia ndeshjen e Grupit B, që pritet të zhvillohet në Lubjanë. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi me rezultat pozitiv siguron së paku vendin e dytë, që i dërgon në “play off”, ndërsa sllovenët me fitore mbajnë gjallë shpresat për ta rrëmbyer vetë atë pozitë.

Trajneri i Kosovës, Franko Foda, ka dalë optimist para përballjes vendimtare të ditës së sotme ndaj Sllovenisë në Lubjanë, duke theksuar se detajet do të jenë çelësi për të vendosur fituesin e ndeshjes. “Në takimin e parë në Prishtinë, të dyja skuadrat luajtën mirë dhe me kujdes. Asnjëra nuk shfrytëzoi rastet e krijuara, dhe pres të njëjtën gjë edhe nesër (sot). Detajet do të bëjnë dallimin,” tha Foda në konferencën për media.
Trajneri gjerman shtoi se ekipi ka analizuar jo vetëm ndeshjen direkte me Slloveninë, por edhe përballjet e tyre të tjera me kombëtare të ndryshme. “Synimi ynë është absolutisht fitorja. Përmes analizave që kemi bërë, shpresojmë të arrijmë këtë”, theksoi ai. Një fitore në Lubjanë do t’i japë Kosovës mundësinë të hyjë fuqishëm në garë për kualifikim direkt në Kampionatin Botëror 2026, ndërsa Zvicra duhet të ndalet nga Suedia që skenari të realizohet. Sa i përket gjendjes së lojtarëve, Foda ka konfirmuar se qendërmbrojtësi Amir Rrahmani do të luajë titullar, pas rikthimit nga lëndimi që e kishte mbajtur jashtë në muajin tetor.“Amiri tashmë ka luajtur tre ndeshje të plota me Napolin. Është pak i ngarkuar, por pritet të jetë gati për ndeshjen e nesërme”, tha Foda. Ndërsa për Edon Zhegrovën, trajneri ka qenë më i matur: “Zhegrova? Do të shohim nesër (sot). Në ndeshjen e fundit zhvilloi 30 minuta dhe ka qenë në formë. Vendimi do të merret në bazë të nevojave të kombëtares.” Kosova kërkon tri pikët për të mbajtur hapin me rivalët në Grupin B dhe për të shkuar një hap më pranë kualifikimit në Botëror, duke treguar ambicien e madhe të “Dardanëve” nën drejtimin e Fodës. Slloveni-Kosovë do të luhet sonte, në orën 20:45 në stadiumin “Stožice” në Lubjanë.
PANORAMASPORT.AL








