Interi mundi 2-1 Kairat Almati në Ligën e Kampioneve dhe vazhdoi ecurinë perfekte në turne ku deri tani ka regjistruar vetëm fitore. Por ky sukses i fundit la një shije të hidhur, pasi ekipi nuk ishte dominues ashtu siç pretendojnë zikaltrit.

Ekipi u duk i përgjumur aq sa skuadra kazake, dukshëm inferiore në cilësi, e vuri në vështirësi para tifozëve të vet.
Gjë e cila nuk ka kënaqur Kristian Kivun, i cili pas ndeshjes, para se të shfaqej për intervistat, ka mbajtur një mbledhje me lojtarët e tij në dhomat e zhveshjeve.
Sipas mediave italiane, trajneri ka shprehur hapur para lojtarëve pakënaqësinë për atë që kishte parë në fushë, ose më saktësisht, përgjumjen e ekipit që dukej sikur luante pa dëshirë dhe “zjarrin” që kërkohet në aktivitete të tilla.
Trajneri ka mbajtur fjalim para skuadrës duke kërkuar kthesën që me Lacion, ndërsa edhe vetë lojtarët dukeshin të pakënaqur me atë që kishin shfaqur në fushën e lojës.
Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse Kivu bëri autokritikë më pas para mediave, ashtu si edhe lojtarët, pasi Dimarko e Karlos Augusto pranuan se ekipi kishte “nënvlerësuar” Kairatin dhe një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte me asnjë kundërshtar tjetër.
PANORAMASPORT.AL








