TIRANË-Është firmosur sot, 29 prill, marrëveshja mes shoqërisë Ficantieri, një nga kompanitë më të mëdha të ekselencës në Europë dhe kompanisë KAYO, për të prodhuar në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare, por dhe të vendeve aleate.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se marrëveshja hap një fazë të re bashkëpunimi ekonomik dhe industrial, ku Shqipëria jo vetëm do të përfitojë nga teknologjia dhe eksperienca e partnerëve ndërkombëtarë. Po ashtu kreu i qeverisë nënvizoi se projekti do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në formimin profesional të të rinjve, veçanërisht për vajzat dhe djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të përfshihen në procesin e trajnimit dhe punësimit nën udhëheqjen e specialistëve të fushës.
Edi Rama: Kemi arritur në një pikë shumë të rëndësishme për të ardhmen dhe jo vetëm të aparatit të sigurisë së Shqipërisë dhe FA, por edhe ekonomisë e së ardhmes së të rinjve shqiptarë. Është një marrëveshje për të krijuar një shoqëri të re. Është një marrëveshje për të prodhuar në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit, anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare dhe ushtrive të tjera të vendeve aleate. Ajo që e bën këtë marrëveshje të veçantë është se bota e kantierëve po ndryshon dhe kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë një vullnet e vizion për të ndryshuar këtë ndryshim me diçka të re që do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare në territorin tonë dhe që do t’i shërbejë botës së kantierëve. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë për të rinjtë, për vajzat e djemtë e shkollës industriale të Vlorës, të cilët do të jenë të parët, të cilët do të kontaktohen dhe do të ftohen për të marrë pjesë në një rrugëtim formimi të përshtatur për të qenë nesër dhe jo në një të ardhme të largët, por në një të ardhme shumë të afërt pjesëmarrës, të kësaj shoqërie të re ekselence në territorin e tyre, pra në qytetin e tyre të lindjes dhe ata sigurisht do të jenë të shoqëruar në rrugën e tyre të formimit nga profesionistët e Fincantieri-t dhe do të arsimohen si në Itali, pikërisht aty ku Fincantieri ka dhe shpirtin e saj, bazën e saj, por edhe në Shqipëri, në Pashaliman ku ky shpirti i dytë themi do të marri jetë së shpejti.



