TIRANË-Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar një opinion të ndërmjetëm mbi projektligjin e ri për financimin e partive politike në Shqipëri. Në opinion thuhet se Projektligji i Shqipërisë për Financimin e Partive Politike (“Projektligji”) ofron një kuadër të detajuar për rregullimin e financimit të partive politike, duke përfshirë të ardhurat e partive politike, burimet e financimit, si dhe shpenzimet, raportimin, publikimin, mbikëqyrjen dhe sanksionet.
Në këtë drejtim, OHDIR vlerëson se objektivi i Projektligjit për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej rregullimin e financimit të partive politike në Shqipëri, i cili aktualisht trajtohet në Ligjin për Partitë Politike dhe në Kodin Zgjedhor, është për t’u mirëpritur. ODIHR thekson se ligji duhet të jetë në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor për të shmangur mospërputhjet ligjore që mund të krijohen nga ekzistenca e dy kuadrove paralele rregullatore.
Rekomandimet kryesore të ODIHR:
-Transparenca e Donatorëve: Të ndalohen rreptësisht donacionet në emër të personave të tjerë dhe të publikohet profesioni, punëdhënësi dhe pronësia përfituese e kompanive financuese.
-Rregullimi i Huave: Të qartësohen rregullat për huatë, shlyerjen e tyre dhe faljen e borxheve, për të shmangur financimet e fshehura.
-Sanksione Proporcionale: Gjobat për donacionet e tepërta duhet të jenë shumëfish i shumës tejkaluese dhe të mbulojnë çdo shkelje të mundshme.
-Kapacitetet e KQZ-së: Suksesi i reformës do të varet tërësisht nga burimet financiare, njerëzore dhe hetimore që do t’i vihen në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
ODIHR bën rekomandimet e mëposhtme për të forcuar më tej Projektligjin në përputhje me standardet ndërkombëtare, angazhimet e OSBE-së dhe praktikat e mira:
A. Të rregullohen qartë elementët kyç të financimit të partive politike në Projektligj, duke lënë vetëm detajet teknike për legjislacionin dytësor, dhe të përfshihet një dispozitë sqaruese që riafirmon ndarjen ndërmjet Projektligjit dhe Kodit Zgjedhor si lex specialis, me qëllim rritjen e sigurisë juridike dhe sigurimin e zbatimit konsistent;
B. Lidhur me financimin publik:
1. Të specifikohen më tej në Projektligj kritere të qarta, objektive dhe transparente që rregullojnë shpërndarjen e financimit publik të lidhur me promovimin e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes së të rinjve, duke lënë aspektet teknike dhe procedurale për t’u rregulluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe duke specifikuar që fondet publike të alokuara të jenë të destinuara për shpenzime të përcaktuara qartë;
2. Të përfshihen në Projektligj dispozita të qarta që rregullojnë kohën e disbursimit të financimit publik;
3. Të qartësohen modalitetet e dhënies së aksesit falas në median publike gjatë periudhave zgjedhore të parashikuara në nenin 20 të Projektligjit, duke siguruar që një mbështetje e tillë të jepet në mënyrë që garanton akses të barabartë për partitë politike, duke specifikuar nëse ky akses duhet të jepet në bazë të barazisë apo proporcionalitetit, për shembull në lidhje me performancën e mëparshme zgjedhore, duke marrë gjithashtu në konsideratë përfshirjen e masave të ndjeshme ndaj gjinisë, si kërkesat minimale për mbulim mediatik të grave kandidate;
4. Të përcaktohet shprehimisht në Projektligj autoriteti kompetent që rregullon aksesin në median publike;
C. Lidhur me financimin privat:
1. Të përcaktohet shprehimisht se tarifat e anëtarësisë përbëjnë kontribute dhe i nënshtrohen kufijve të zbatueshëm për donacionet;
2. Të ndalohen shprehimisht në Projektligj donacionet e bëra në emër të një personi tjetër dhe të kërkohet publikimi i profesionit dhe punëdhënësit të çdo donatori, me qëllim rritjen e transparencës dhe uljen e rrezikut të shmangies së rregullave;
3. Të vendosen kërkesa për identifikimin dhe publikimin e pronësisë përfituese të personave juridikë që bëjnë donacione, si dhe të sigurohet që ky informacion të jetë i aksesueshëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve;
4. Të parashikohet një kuadër rregullator gjithëpërfshirës për huatë ndaj partive politike, duke përfshirë dispozita mbi burimet e lejueshme, kufijtë, garancitë dhe kushtet e shlyerjes, duke kërkuar publikimin e plotë të këtyre huave në llogaritë vjetore të partive, si dhe të konsiderohet fuqizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vendosur procedura të detajuara për monitorimin e respektimit të rregullave mbi huatë, etj.;
D. Lidhur me transparencën e financimit të partive politike:
1. Të kërkohet shprehimisht në Projektligj paraqitja e dokumentacionit mbështetës si pjesë e detyrimeve të raportimit financiar;
2. Të parashikohet në Projektligj që raportet financiare të paraqitura nga partitë politike dhe audituesit të publikohen pa vonesa të pajustifikuara, përfshirë rastet kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos të nisë një procedurë verifikimi, duke mbetur gjithashtu të aksesueshme publikisht për një periudhë të zgjatur;
3. Të vendosen në Projektligj rregulla të qarta dhe konsistente për vlerësimin e kontributeve në natyrë, përfshirë shërbimet dhe mbështetjet e tjera jomonetare;
4. Të përcaktohen elementët kryesorë të kuadrit elektronik të raportimit në Projektligj ose në legjislacion tjetër parësor, duke lënë detajet teknike dhe operative për t’u specifikuar përmes legjislacionit dytësor;
E. Lidhur me autoritetin mbikëqyrës:
1. Të sqarohet më tej në Projektligj fusha e kompetencave hetimore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke specifikuar kategoritë e “palëve të treta” që i nënshtrohen kërkesave për informacion nga KQZ-ja, me qëllim rritjen e sigurisë juridike dhe garantimin e ushtrimit efektiv të këtyre kompetencave;
2. Të parashikohen në Projektligj mekanizma për bashkëpunimin ndërinstitucional, përfshirë, kur është e përshtatshme, dispozita që mundësojnë ndërveprueshmërinë ndërmjet databazave institucionale, duke siguruar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të luajë një rol qendror koordinues dhe që modalitetet teknike të përcaktohen përmes legjislacionit dytësor;
3. Të përfshihet shprehimisht përgjegjësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mirëmbajtur dhe garantuar akses publik në të dhënat mbi financimin e partive politike ndër kompetencat e listuara në nenin 19 të Projektligjit;
F. Lidhur me sanksionet:
1. Të parashikohet në Projektligj që gjobat për donacionet e tepërta të përcaktohen si shumëfish i shumës që tejkalon kufijtë e zbatueshëm;
2. Të qartësohen dhe të përcaktohen më saktë shkeljet e parashikuara në nenin 21(ë), si dhe të dallohen qartë nga ato të nenit 21(d), me qëllim garantimin e sigurisë juridike, proporcionalitetit të sanksioneve dhe parandalimin e zbatimit të paqëndrueshëm ose arbitrar;
3. Të përcaktohen qartë kriteret dhe procedurat që rregullojnë kufizimet mbi pjesëmarrjen zgjedhore për shkak të detyrimeve financiare të pashlyera, përfshirë garancitë për rastet që janë objekt i mosmarrëveshjeve gjyqësore në proces, me qëllim garantimin e sigurisë juridike dhe mbrojtjen e të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhje;
4. Të zgjerohet lista e sanksioneve ekzistuese sipas Projektligjit për të mbuluar të gjitha detyrimet thelbësore të përcaktuara në të, qoftë duke plotësuar listën e sanksioneve sipas nenit 21 ose, alternativisht, duke futur një klauzolë të përgjithshme sanksionuese që mbulon të gjitha shkeljet që nuk i nënshtrohen shprehimisht penaliteteve specifike;
5. Të vendosen sanksione të qarta për marrjen e donacioneve nga burime të ndaluara dhe të qartësohen detyrimet e partive politike për të verifikuar ligjshmërinë e donacioneve, përfshirë procedurat për trajtimin dhe transferimin e kontributeve të paligjshme ose në natyrë.
Dokumenta bashkëngjitur



