TIRANË-Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve më 23 shkurt, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvëndëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, raportet e palëve do të kalojnë në Kuven për votimin pro ose kundër kërkesës. Por në seancën plenare që do të zhvillohet nesër, Kuvendi nuk e ka kaluar në rend dite votimin, duke lënë pezull çështjen.
Grupi i PD-së depozitoi në Kuvend raportin e tyre pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku argumentojnë se përse Kuvendi duhet të votojë pro kërkesës për heqjen e imunitetit të saj. Nga ana tjetër mazhoranca nuk ka dalë me një raport. E vetmja lëvizje ishte ajo e ndryshimit të kabinetit qeveritar, ku kryeministri Edi Rama njoftoi edhe largimin e Belinda Ballukut. Kjo e fundit u shkarkua javën e kaluar nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe tashmë mbetet në duart e SPAK.
Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI



