TIRANË-Çfarë do të ndodhë me çështjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku? Kjo pyetje pritet të marrë sot përgjigje, teksa çështja po diskutohet mes dy godinave shumë pranë njëra-tjetrës.
Në Kuvend ka filluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, ku po shqyrtohet me dyer të mbyllura heqja e imunitetit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku me kërkesë të SPAK, me qëllim arrestimin.
Pak metra më larg, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në zyrën e tij në godinën e qeverisë, ndërsa deri tani socialistët nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë, nëse do të votojnë pro apo kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit.
Vetë Balluku ka zgjedhur godinën e dytë. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja Belinda Balluku është filmuar teksa del nga makina me shpejtësi dhe hyn në Kryeministri, atje ku u mbajt mbledhja e qeverisë. Por nuk dihet në cilin përfundim ka arritur qeveria në lidhje me qëndrimin për Ballukun.
Në seancën e sotme prokurorët e SPAK, me në krye Klodian Brahon do të prezantojnë argumentet e tyre për heqjen e imunitetit të Ballukut, që i hap rrugë arrestimit të saj. Balluku në mbledhjen e sotme do të njihej njëjtë me anëtarët e Këshillit me provat ndaj saj, ku kishte të drejtë të jepte shpjegime apo të përfaqësohej nga avokati, duke ushtruar të plotë të drejtën e mbrojtjes. Por zgjodhi mos paraqitej vetë personalisht.
Pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK, brenda dy javëve, Këshilli i Mandateve do të duhet që të hartojë një raport që do ta dërgojë në seancë plenare, përmes të cilit rekomandon rrëzimin ose dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurisë së arrestit në burg apo shtëpi apo kontrollit personal dhe të banesës. Në fund kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.
Teksa qeveria ka përfunduar mbledhjen në Kryeministri, një tjetër vazhdon në godinën afër…a do të hapet rruga për arrestimin e Belinda Ballukut?/ZËRI



