TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka zbuluar se nuk flet më me kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë në emisionin “Kjo javë” në News 24, deputeti ka deklaruar se shkak u bë shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak dhe shpallja e datës së zgjedhjeve për Tiranën. Braçe deklaron se ka bindjet e veta dhe në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, ka kërkuar publikisht të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Pyetja; Nëse unë ju pyes si është marrëdhënia juaj me kryeministrin cila është përgjigjja juaj, se ju kam pyetur dhe njëherë më keni thënë 5 ditë flasim dhe 5 muaj jo.
Erion Braçe: Jo tani nuk flasim. Unë mendoj se duhet të ketë gjithmonë një pauzë për të reflektuar secili në këtë marrëdhënie, që është politike, pune dhe marrëdhënie njerëzore në fund, unë kam bindjet e mia dhe nuk dua që të më cënohen kufijtë që unë ngre. Jam i prirur përkundrejt një ekuilibri, por kur kam të drejtë kam të drejtë dhe të drejtën time nuk e negocioj me kërrkënd. Nëse unë thashë publikisht që duhet pritur vendimi i gjykatës Kushtetuese sa i takon shkarkimit të zotit Veliaj apo shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë, me këtë vendimin e Kushtetueses rezulton se paskam patur të drejtë. Por dhe me gjithçka që po pason si ligjërim, unë skam folur pas vendimit të Kushtetueses.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim./ZËRI



