TIRANË- Deklarimi i deputetit Erion Braçe për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale të ardhshme ka nxitur komente të vazhdueshme në radhët e Partisë Socialiste. I pyetur nga gazetarët, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, tha se secili brenda partisë ka të drejtën e vet për ambicie. Balla nuk u ndal më gjatë, teksa tha se për zgjedhjet ka kohë deri pranverën e ardhshme.
“Nuk kam dëgjuar kritika, por dua të them që në PS secili ka të drejtën e vet, dhe ndërkohë jo pa qëllim ne kemi hapur proces shumë të gjerë analize. Sa i përket ambicies për kryetar bashkie, do kemi kohë deri në zgjedhje”, deklaroi Balla.
Ai u pyet gjithashtu për mungesën e deputetes Elis Spiropoali në Kuvend gjatë votimit për imunitetin e saj, duke premtuar se sapo të marrë një vendim, do ta njoftojë publikisht:
“Do ju njoftoj kur ta kem një vendim”, tha Balla, teksa largohej nga Kuvendi.
Deputeti socialist Erion Braçe gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS në njësinë numër 5, 28 mars, është shprehur se do të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm. Madje, Braçe i ka dërguar një shkresë KQZ, ku kërkon t’i vihen në dispozicion të gjitha rezultatet e marra prej tij si deputet, duke nisur nga zgjedhja si deputet për herë të parë në qarkun Berat në vitin 1996./ZËRI



