Skualifikimi i volejbollistes braziliane së Dinamos, Nayara Ferreira, tronditi disa javë më parë opinionin sportiv dhe me gjerë. Në lidhje me këtë situatë, së fundmi ka folur edhe menaxheri i skuadrës së Dinamos, Andi Bareti.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai bën të ditur se tashmë volejbollistja braziliane është larguar nga Shqipëria dhe se me shumë mundësi e ka mbyllur eksperiencën në vendin tonë. Teksa deklaron se klubi mbetet në pritje të përgjigjeve të analizave për testin e shumëpërfolur të gjinisë, Bareti thekson se kjo që ndodhi u ka ardhur peshqesh nga Pogradeci dhe Vllaznia, për ta luftuar skuadrën blu jashtë fushe.
Po bëhen më shumë se një muaj që Dinamo ka humbur shërbimet e një prej lojtareve më të mira të ekipit, Nayara Ferreirës. Çfarë po ndodh me volejbollisten braziliane?
Po, është e vërtetë, Dinamo ka humbur një nga lojtaret më të rëndësishme të këtij sezoni dhe po vijojmë garën duke luajtur pa lojtaren kryesore të ekipit. Kjo gjë e ka tronditur jo pak ekipin, por sigurisht më shumë vetë lojtaren braziliane, Nayarën.
Gjithçka erdhi pas një kërkesë të ekipeve rivale. Si do ta komentoni?
Tani është çdo gjë e qartë, duke nisur edhe nga deklaratat mediatike, por edhe nga shkresat zyrtare të ardhura nga federata, ku na është bërë e qartë se peshqesh në këtë rast e kemi nga aksi Pogradec-Shkodër. Janë këto dy skuadra, të cilat me sa duket frikën për t’u përballur në fushë me ekipin e Dinamos, zgjodhën ta zhvendosin në një përballje jo të drejtë jashtë fushe.
Ndërkohë, mbeteni në pritje të përgjigjeve të analizave? Kur priten të vijnë?
Po, është e vërtetë që lojtarja ka pranuar që të bëjë një test, test i cili u kërkua edhe nga shkresa zyrtare e Federatës Shqiptare të Volejbollit, por Nayara ka zgjedhur që ta bëjë këtë test vetëm për të qetësuar klubin. Ka bërë një test, për të cilin ne ende nuk kemi një përgjigje zyrtare, e cila gjithsesi do t’i vijë vetëm lojtares, pasi është ajo e vetmja që ka të drejtë ta shikojë përgjigjen e testit.
Nayara ndodhet aktualisht në Shqipëri, apo është larguar? Volejbollistja për momentin nuk ndodhet në Shqipëri, pasi ka kërkuar leje nga klubi për t’u qartësuar nga kjo situatë ku ajo ndodhet. Sigurisht që është shumë e tronditur dhe klubit i ka bërë me dije që dëshiron ta ndjekë këtë çështje deri në fund, duke kërkuar mbrojtje ligjore me anë të avokatëve të saj.
Çfarë ju ka komunikuar për të ardhmen e saj në Shqipëri?
Nga komunikimet e vazhdueshme që kemi patur me lojtaren, duke parë edhe rëndësinë sensitive të çështjes, klubi i ka qëndruar shumë afër dhe i ka shprehur të gjithë përkrahjen. Edhe pse nuk është ende zyrtare, me shumë mundësi Nayara nuk dëshiron që të vijojë karrierën e saj në vendin tonë, pra mundësia më e madhe është që ajo të largohet. Gjithsesi, klubi është pritje të vendimit përfundimtar të saj, pasi ne jemi të hapur që të vazhdojmë bashkëpunimin me të.
Një situatë që është reflektuar edhe në parket, ku rezultatet kanë patur rënie të dukshme. Keni menduar për zëvendësimin e Nayarës?
Nëse lojtarja do të vendosë që të largohet nga Shqipëria, ne do të ndërhyjmë në merkato për të kërkuar një volejbolliste të nivelit të saj, për të plotësuar boshllëqet e ekipit. Është e dukshme që mungesa e Nayarës është ndjerë në ekip, gjë që reflektohet nga mungesa e rezultateve.
Ka ndonjë lëvizje konkrete në aspekt?
Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me lojtare, por duhet të pranojmë që tregu para festave të fundvitit është i vakët. Gjithsesi ne jemi në bisedime të avancuara me një lojtare të nivelit shumë të lartë me shtetësi kanadeze dhe së shpejt do të kemi një përgjigje nëse do të finalizohet si tratativë, por sigurisht çdo gjë varet edhe nga e ardhmja e Nayarës.
Dinamo u fut këtë sezon me objektiva shumë të mëdha. I konfirmoni këto objektiva edhe për pjesën e mbetur të sezonit?
Në këtë sezon kam kënaqësinë të jem pjesë e një ekipi legjendar siç është Dinamo dhe sigurisht që me një president kërkues dhe 100% investitor privat si Eduard Bregu dhe me një trajner kërkues dhe fitues si Orlando Koja, objektivi i vetëm i klubit në këtë sezon është fitimi i të gjithë trofeve të mundshëm. Është e vërtetë që rivalet e arritën qëllimin për të na dobësuar, por kjo është vetëm për momentin, sepse në janar do të rikthemi më të fuqishëm se kurrë më parë dhe jemi të bindur që do t’u shkojmë deri në fund objektivave tona për të fituar çdo trofe ku marrim pjesë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL








