EKSKLUZIVE/ “Kosova ka më shumë talente se në Shqipëri”, Grezda analizon Kombëtaren: Silvinjon nuk e di si mund ta mbajmë, mund të ketë shumë oferta

EKSKLUZIVE/ “Kosova ka më shumë talente se në Shqipëri”, Grezda analizon Kombëtaren: Silvinjon nuk e di si mund ta mbajmë, mund të ketë shumë oferta

Nov 30, 2025 | 20:40






























Eros Grezda ka qenë padyshim një nga emrat më të komentuar në Kombëtaren tonë. I cilësuar si një nga futbollistët më të mirë dhe me më shumë kualitet që Kombëtarja ka pasur, Grezda u detyrua ta linte futbollin herët për shkak të dëmtimeve të shumta.

Grezda

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori ka folur për karrierën e tij, kohën e transferimit te Rejnxhërsi si edhe për Kombëtaren dhe ecurinë e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit.

Eros karriera si futbollist nuk zgjati shumë. Si e kujton atë kohë?
Të them të drejtën, nuk e kam pritur se do ta mbyll karrierën në moshën 29 vjeçare. Normal që gjithmonë kam ëndërruar që karriera ime të përfundonte në mënyrë shumë normale si futbollistët e tjerë. Por, dëmtimet që kam pas, më kanë detyruar që të ndërpritej më shpejt.

Në kulmin e karrierës, u transferuat te Rejnxhërs. Nëse do të ktheje kohën pas, a do ta bëje një lëvizje të tillë?
Tani që jam agjent futbollisti dhe që kam përjetuar pothuajse çdo momenti, të mirë e të keq në futboll, normal që kam eksperiencë më shumë edhe gjëja e mirë e kësaj është që për shembull, për lojtarët e mi mund t’i jap këshilla, që hapat e tillë me klub si Rejnxhërs nuk mund të thuash jo. Por në periudhën që unë isha atje, që sa isha bërë operacion, të shkosh në një klub aq të madh, vendimi mund të ketë qenë gabim. Por e përsëris, jam me shumë eksperiencë nga karriera ime e shkurtër dhe gabimet të cilat mund t’i kem bërë vetë, përpiqem tani që lojtarëve, të cilët unë udhëheq t’ju tregoj edhe të mos bëjnë hapa të tillë. Nuk është puna vetëm te transferimi ajo që them por edhe ne gjëra tjera. Për shembull, jam këshilltar i tyre për çdo gjë

Nedim Bajrami po kalon pak a shumë të njëjtën situatë si ju te Rejnxhërs. Çfarë do t’i këshilloje atij në këtë moment
Rejnxhërs njësoj si Sëlltiku janë dy klubet me histori të madhe dhe e kanë presionin e madh. Presioni i madh do të thotë që çdo ndeshje duhet të fitojnë dhe duhet të fitojnë trofe. E pritshmëritë janë të larta nga çdo futbollist. Nuk është vetëm problemi i Eros Grezdës apo Nedim Bajramit, por ka edhe lojtarë të tjerë të huaj, të cilët nuk paraqiten mirë aty. Kanë vështirësi dhe në momentin që bëjnë një hap tjetër. Shkojnë në një skuadër tjetër, për shembull në të njëjtin nivel, por kampionati është i ndryshëm. Ata janë paraqitur shumë mirë. Këtë do të lidhja me disa gjëra. E para është presioni i madh nga bordi i klubit. Presioni i madh nga tifozët. Pastaj është një ligë shumë fizike dhe në aspektin fizik, mund ta quaja si ligën më të fortë në botë. Edhe nëse je lojtar teknik. Nëse je lojtar me cilësi tjera, do të kesh shumë të vështirë adaptimin edhe performancën atje. Kjo besoj që është njëra ndër shkaqet kryesore që shumë futbollistë kanë probleme në momentin që transferohen në këtë lloj kampionati ose në këtë lloj klubesh siç është Rejnxhërsi apo edhe të tjerat.

grezda-gerrard (1)

Duke qenë se keni nisur karrierën si menaxher. A sheh futbollistë shqiptarë që mund të luajnë në elitën e Europës?
Po patjetër dhe ja po marr si shembull vetëm Brrutin që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Do ta theksoja se talentet më të madhe janë në Kosovë. Nuk e di pse në Shqipëri kam shkuar, kam parë edhe kam folur, por nuk ka dhe nuk ka shumë cilësi të rinj. Është një gjë për të shqetësuar, por në Kosovë është e kundërta. Në Kosovë domethënë nuk kemi shumë kushte të mira, por ka shumë talente. E di që këtu nuk punohet shumë me lojtarë të rinj, por kualitetin e kanë. Ka me vërtetë futbollistë të cilët kanë potencial që të arrijnë gjëra të mëdha në karrierë, por me ta duhet të punohet shumë, si fizikisht, teknikisht, taktikisht. Pastaj, normalisht që duhet dikush që t’ju flasë gjithë kohës. Pastaj është dhe pyetje tjetër që është fati, kuptohet faktori më i rëndësishmi në këtë sport, por që talente janë. Janë shumë të mëdha, sidomos në Kosovë edhe ishalla do Zoti që në vitet me të afërme edhe Shqipëria edhe Kosova ti kushtojnë më shumë rëndësi të rinjve që të krijojnë kushte sa më të mira për ta dhe të marrin njerëz të cilët janë të duhurit për këto gjëra, që të nxjerrin maksimumin.

Ndërkohë, vazhdon të jesh pranë Kombëtares. Si e ke parë Shqipërinë në Botëror në krahasim me eliminatoret e shkuara?
Normalisht kombëtarja me ardhjen e Silvinjos, unë kam thënë në intervista të tjera që ka një rritje shumë të madhe dhe jo vetëm në çështjen e lojës, që është një lojë e bukur, por edhe në krijimin e harmonisë në grup. Në kombëtaren po mund të kesh super futbollistë. Do marr shembullin Serbinë. Të gjithë e dinë që Serbia ka problemin brenda dhomave të zhveshjes dhe kjo është një harmoni e keqe midis vetes dhe kjo reflektohet direkt në fushë. Shqipëria me Silvinjon sepse është ai i kryesor, është edhe presidenti Duka edhe ai gjithmonë është gjendur afër lojtarëve, stafit e të gjithëve. Dhe kjo e bën një gjë që kur bashkohen është një grup shumë i fuqishëm kur ka harmoni. Unë i kam parë të gjitha ndeshjet. Më kanë pëlqyer shumë ndeshje, ka shumë rritje edhe prurje të reja në kombëtare, domethënë e kanë freskuar ekipin dhe i kanë sjellë një element plus në të gjitha pozitat. Kështu që besoj që është kombëtarja më e mirë do të thosha unë e të gjithë kohërave jo vetëm për shkak të rezultatit, por edhe për shkak të lojës së tyre, seriozitetit, harmonisë, domethënë të gjitha këto. Pastaj kemi edhe stadiumin e ri që ka disa vite por në fakt e ka ndryshuar edhe imazhin e Kombëtares

Në “Play Off” do të kemi Poloninë. Si e sheh këtë ndeshje dhe a shpresoje që të kishim ndonjë rival tjetër përballë?
Po mund të kishim më të lehtë mund të kishim edhe më të vështirë. Unë mendoj se Polonia është një kundërshtar relativisht aty-aty me ne edhe duhet gjithçka të përcaktohet nga lojtaret ose nga përgatitja e ndeshjes nga trajneri. Nuk kam dyshime në këto dy pika që do japin maksimum si stafi dhe lojtaret pastaj na duhet siç e thashë, fati na duhet. Por mbas Polonisë e kishim ndeshjen me Suedinë ose Ukrainën. Edhe kjo është ndeshje e rëndësishme. Më pas mund të jetë edhe Ukraina, që do të kishte një ko- mbëtare shumë serioze. Dhe unë personalisht do dëshiroja Ukrainën, pasi që do të kishim luajtur ndeshjen e finales në një stadium neutral. Por ta shohim. Besoj që të gjithë e dinë rëndësinë e ndeshjes, Po- lonia nuk është ajo skuadra që ka qenë më para. Ka edhe ajo krizat e veta, kështu që ne kemi mundësi të ardhshme që ta shfrytëzojmë këtë edhe të shohim pastaj finalen.

Në këtë rrugëtim është edhe Kosova, me Sllovakinë në fillim e më pas me fituesin e Turqi-Rumani…
Edhe Kosovës duhet normalisht t’i japim të gjitha meritat e veta për suksesin që ka arritur. E do të thosha sukses më të madh sesa ne, sepse ne kemi arritur dy herë në Europian. Nuk i kishim këtë sukses në botëror, por e kemi arritur në Europian, kurse Kosova është skuadër shumë e re. Është një kombëtare e re dhe këta kishin rezultate të tilla në një grup aq të vështirë, thjesht që është suksesi më i madh i gjithë kosovarëve. E Kosova mund të them që ka kundërshtarin më të lehtë Sllovakinë. Unë e kam përzgjedhur si kundërshtarin më të lehtë të ekipeve që mund të kenë, por që do të ketë një ndeshje finale do të thosha më të vështirë sepse mendoj se Turqia do të jetë kundër. Por gjëja e mirë është që përballet në Kosovë, kështu që gjithçka mbetet e hapur. Nëse jo të dyja të kualifikohen, të paktën njëra që të bëjmë pastaj tifo gjithë shqiptarët anembanë për futbollin tonë.

Eros si e ke parë listën e Kombëtares në epokën Silvinjo sepse gjithmonë ka polemika. Sulmues si Mehmeti apo vëllezërit Shpendi po shënojnë por nuk thirren…
Gazetarët në një farë forme e kanë për detyrë të krijojnë pak konflikt pse nuk ftohet ky apo ky. Silvinjo është një trajner shumë i zgjuar. Është një trajner shumë i matur e i pjekur, domethënë që të zgjedhë grupin për të përcaktuar dhe për të zgjedhur grupin më të mirë të mundshëm. Ne nuk mund të marrim tre lojtarë në një pozicion, domethënë edhe mundemi, se kemi në sulm që mund të luajnë Brojën, Uuznin e Dakun apo Daku që mund të luajnë. Por atje ishte numri i limitit. Ne mund të kemi shumë 50 lojtarë, 60 lojtarë mund të kemi që mund të ftohen, por realiteti është që 23 deri 25 mund të jenë aty. Kështu që Arbër Hoxha apo Anis Mehmeti janë në të njëjtën pozicion. Nuk mund ta ftosh atë ose ta largosh një lojtar, i cili ka qenë lojtari i mirë i Kombëtares sonë. Normalisht gjithmonë do të ketë pakënaqësi por që besoj se Silvinjo gjithmonë zgjedh grupin më të mirë të mundshëm në çdo grup

Si përfundim, a mendon se duhet t’i rinovohet kontrata Silvinjos pa marrë parasysh nëse shkojmë apo jo në Botëror?
Ajo që është çështje që Armando Duka e di dhe më pas duhet parë edhe ambicia. Të gjithë trajnerët domethënë kanë ambicie të mëdha dhe duhet ta shohim veten sa më lart në klubet dhe në kombëtarët më të larta. Ne jemi një kombëtare shumë serioze e kemi federatën tonë, e cila është shumë serioze, por nuk di se si mund ta mbajmë në qoftë se futemi në Botëror ose pas Botërorit. Nuk e di se si mund ta mbajmë Silvinjon, sepse besoj që mund të ketë shumë oferta.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al



Te lidhura














 












Source link

Scroll to Top