Kombëtaret e moshave të Shqipërisë janë kthyer në “han pa porta”, ose më saktësisht, në një han me dyer të hapura nga të cilat po dalin gjithnjë e më shumë lojtarë të cilët piketohen nga përfaqësuese të tjera dhe u bashkohen atyre pak ditë pasi veshin fanellën kuqezi dhe spikatin me të.

Rasti i Leon Myrtajt i cili u largua në tetor nga Shqipëria me të cilën luajti në Europianin e U17 gjatë verës, për t’u bashkuar me Hungarinë, nuk është i izoluar dhe shumë shpejt, elementë të tjerë pritet të ndjekin të njëjtën rrugë. Kjo vërtetohet nga fakti se dy talente të rinj, kanë marrë ftesë nga Italia vetëm pak ditë pasi shkëlqyen me fanellën kuqezi të veshur.
Mesfushori Samuel Prendi i Atalantës, vetëm dy javë më parë ishte në Shqipëri si pjesë e Kombëtares U15 me të cilën mori pjesë në turneun “UEFA Development”. Prendi ishte titullar në të tre ndeshjet, duke shënuar edhe golin e fitores 1-0 ndaj Maqedonisë së Veriut. Pas kthimit në Itali, ai është ftuar menjëherë nga Italia U15 për një grumbullim.
Deni Duka, mesfushor i Juventusit, ishte pjesë e Shqipërisë U15 në miqësoret e muajit shtator ndaj Maltës. Ai dha asist pikërisht për Prendin në fitoren 3-2 ndaj saj në “Shtëpinë e Futbollit”. Edhe për të, nuk ka vonuar ftesa e Italisë, e cila po përpiqet që të përfshijë edhe këtë lojtar në sistemin e saj të kombëtareve të moshave.
Një rast i dyfishtë në një distancë të shkurtër kohore që bën të lindin shumë dyshime mbi mënyrën se si menaxhohen aktualisht kombëtaret e moshave nga drejtoria teknike me në krye italianin Fulvio Pea, pasi eksode të tilla masive, nuk kanë ndodhur thuajse asnjëherë më parë. Po të shtosh këtu edhe ankesat publike të lojtarëve të U17 drejtuar ish-trajnerit italian Andrea Tedesko të larguar pa ceremoni pas dështimeve radhazi, kupton qartësisht se ka diçka që nuk shkon në mënyrën se si funksionon aktualisht futbolli i moshave brenda FSHF. Ku tashmë duket se nuk dinë të përçojnë siç duhet as kriterin e parë bazë për të qenë pjesë e kombëtareve së Shqipërisë, dashurinë e pakushtëzuar për fanellën kuqezi.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL








