Altin Lala e ka vlerësuar Kombëtaren si një nga skuadrat më të mira, duke i dhënë padyshim merita trajnerit Silvinjo, por gjithashtu edhe Edi Rejës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Kombëtares ka dhënë edhe këshillat e tij për të pasur një skuadër ndoshta edhe më të fortë, teksa ka analizuar paraqitjet e ekipit.
Altin, si e vlerëson paraqitjen e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit, duke parë edhe renditjen? Tani, të them të drejtë, duke parë grupin që ne kishim ku Anglia është absolutisht një prej skuadrave më të forta të botës dhe Serbia pastaj si rival, po themi jo vetëm nga ana sportive, por dhe nga ana pak politike. Pavarësisht se unë jam kundër në përzierjen e sportit me politikën, por për shkak që kemi pasur edhe ato ndeshjet e 2014-ës, ishte pak po themi, sensibël ose jo aq e lehtë për ne. Kështu që, duke marrë parasysh që vendi i dyti ishte qëllimi kryesor dhe një sukses i madh, atëherë mendoj që kemi arritur absolutisht maksimumin.
A ka Kombëtarja sot një lojtar si Altin Lala? Po në fakt të them të drejtën nga koha kur unë kam qenë dhe sot, futbolli ka ndryshuar dhe vazhdon ndryshon. Kjo ka ndryshuar faktikisht unë kam qenë tipik, para mbrojtësit që ka fituar dy luftimet, kam shfrytëzuar edhe topat, por pjesa ime ka qenë më shumë volum loje dhe po themi Asllani që është lojtar niveli tjetër, në sensin që ka edhe organizimin ose kërkon gjithmonë të marrë topin edhe ka në vërtet shumë influencë tek loja, se luan edhe topat e gjatë, topat shkurtër e merr topin. Shpesh herë edhe poshtë mbrojtjes dhe në mesfushë, që ka gjithmonë një zgjidhje. Jo, sdua të krahasoj dhe nuk jam tre ajo dhe e kam thënë edhe herë të tjera që kur vjen kjo me punë e krahasimeve është e njohur si puna e iPhone-ave që ne kemi qenë iPhone 1 dhe tani ka dalë 17 në mos gaboj. Kështu që gjithmonë futbolli evoluon është më i mirë, ka më tepër intensitet, ka më tepër informacion, ka ecur para shumë. Atëherë ka qenë më kaotik ose më bio, sepse ti duhej ta gjeje zgjidhjen vetë ndërsa tani ka ndryshuar situata sepse vijnë me “Laptop” dhe të japin disa zgjidhje që mund të bësh. Trajnerët, asistentët, kushtet e fushës, fushat e lojës apo edhe shumë gjëra të tjera janë që kanë ndryshuar shumë.
Po si përfundim, duke parë ecurinë nën drejtimin e Silvinjos, a mendon se duhet rinovuar kontrata e tij edhe për Europianin e ardhshëm? Shiko, ne nuk duhet të harrojmë edhe Edi Rejën, i cili me të vërtetë me çfarë kam njohur vet nga brenda, ka qenë një seleksionues jashtëzakonisht i mirë, që ka bërë mirë dhe ka thirrur shumë lojtarë. Ai ka pasur qartësi për të sjellë lojtarë dhe e ka rritur padyshim nivelin e ekipit tonë dhe unë mendoj që ai ka pasur një rol jashtëzakonisht shumë të mirë. Dhe tani, ja ka bërë edhe Silvinjos më të lehtë. Pavarësisht se edhe Silvinjo ka bërë jashtëzakonisht mirë, sepse jemi një herë në Kampionat botëror edhe një herë në Europian dhe dalësh edhe tani në “play off”. Është arritje e madhe, pastaj varet çfarë kërkon të trajneri ose si është në gjendje ai, a ka energji ta vazhdojë, se shpesh herë një gjë që vazhdon edhe mbaron dikur. Mendoj që pas këtyre ndeshjeve atëherë ata do vendosin se nëse e arrin Kampionatin botëror natyrisht që do ishte diçka e madhe dhe mendoj që edhe trajneri do të vazhdojë. Në qoftë se jo, pastaj kanë kohë për të biseduar dhe pastaj për të dalë në një vendim që besoj se do ta bëjë edhe presidenti i FSHF-së.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL









